Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Bota

Franca futet në shtetrrethim, vendosen orë policore dhe ndalohen tubimet pranë institucioneve

Franca futet në shtetrrethim, vendosen orë policore dhe ndalohen tubimet pranë institucioneve

Autoritetet franceze kanë vendosur një orë policore gjatë natës në disa zona të Parisit dhe në qytete të tjera të vendit, pas protestave të mëdha të fundjavës që u kthyen në trazira, plaçkitje dhe përplasje të dhunshme me forcat e policisë, duke rezultuar në arrestimin e më shumë se 2,400 personave.

Sipas mediave Libération dhe France24, Prefektura e Policisë së Parisit ka shpallur një orë policore që do të jetë në fuqi nga ora 23:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit sipas orës lokale. Kjo masë do të zbatohet posaçërisht për tre kategori: të miturit e pashoqëruar, personat që mbajnë pajisje mbrojtëse personale dhe personat që fshehin fytyrën.

Prefektura sqaron se nga ky vendim përjashtohen banorët që mund të provojnë vendbanimin në këto zona, punëtorët, anëtarët e shërbimeve publike të emergjencës dhe tregtarët lokalë.

Gjithashtu, nga ora 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit janë ndaluar të gjitha demonstratat në zona të tjera të kryeqytetit si Bastille, Châtelet, si dhe pranë vendeve të pushtetit si Pallati Elize, Matignon, Asambleja Kombëtare dhe Senati.

Vendosja e masave ka përfshirë edhe rajone të tjera të Francës: Lille, Douai, Wattignies dhe Denain.

Zyra e Kryeministrit Sébastien Lecornu dhe prefekti i departamentit Nord njoftuan se në këto qytete veriore vendoset orë policore për të miturit nga ora 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit për ditët e hënë dhe të martë, në bashkëpunim me kryetarët e bashkive përkatëse.

Lion: Një orë policore është shpallur në qendër të qytetit nga e hëna në orën 21:00 deri në 06:00 të mëngjesit të së martës.

Nicë: Kryebashkiaku Éric Ciotti vendosi orë policore për të miturit nga ora 21:00 deri në 06:00, e cila do të mbetet në fuqi çdo natë deri të dielën. Kjo masë prek qendrën e qytetit, Nicën e Vjetër, lagjen Trachel dhe zonën e stacionit jugor të trenit.

Masat e jashtëzakonshme vijnë pas protestave masive ku vlerësohet se morën pjesë mbi 500,000 njerëz në të gjithë vendin, veçanërisht në Paris, Marsejë dhe Limozh.

Ministri i Brendshëm pranoi se policia “humbi kontrollin” në disa qytete për shkak të numrit të pakët të forcave të rendit, ndërsa Presidenti Emmanuel Macron kërkoi një shqyrtim të plotë të masave të sigurisë.

Situata ka nxitur edhe rebelim politik në nivel lokal. Kryebashkiaku i krahut të djathtë i Longué-Jumelles (Maine-et-Loire), Frédéric Mortier, vendosi t’i ulë flamujt e bashkisë në gjysmë shtizë dhe të heqë portretin zyrtar të Presidentit Macron.

“Dënoj me fjalët më të ashpra të mundshme dhunën dhe dëmin e kryer nga ata që shkelin ligjet tona, vandalizojnë qytetet tona dhe tregojnë përbuzje për vlerat e Republikës. Franca nuk mund të pranojë që disa të refuzojnë rregullat e përbashkëta, të hedhin poshtë kërkesat e integrimit dhe të sfidojnë autoritetin e shtetit”, deklaroi Mortier, duke e quajtur qëndrimin e kreut të shtetit të padenjë për rëndësinë e ngjarjeve.

 

j.l./ dita

Burimi: gazetadita.al

Të fundit Të gjitha