Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Pse partitë opozitare shqiptare heshtin ndaj dhunës?

Pse partitë opozitare shqiptare heshtin ndaj dhunës?

Nga Fatos Çoçoli

Forcat opozitare dhe liderët më të rëndësishëm politikë në Francë, Gjermani, Spanjë, Belgjikë, Itali e të tjera vende, pra në disa prej shteteve më të mëdha të Europës, kanë shprehur dënim të fortë ndaj përkeqësimit të dhunës gjatë valës së gjerë të protestave që ka përfshirë kontinentin këtë muaj.

Edhe pse arsyet e protestave ndryshojnë sipas vendit, duke nisur nga rritja e ndjeshme e kostos së jetesës, reformat në arsim e deri te strehimi, skenat e përleshjeve të dhunshme, plaçkitjet dhe sulmet kundër policisë kanë shkaktuar reagime të forta nga pothuajse të gjitha spektrat politike.

Përgjegjshmëria e partive opozitare në BE

Në Francë, kryetarja e së djathtës radikale, Marine Le Pen e partisë Rassemblement National (Bashkimi Kombëtar), e ka dënuar ashpër dhunën, duke u shprehur se vendi po mbahet “peng midis dhunës dhe pafuqisë”. Ajo ka akuzuar gjithashtu të majtën ekstremiste për tolerim të dhunës. Nga ana tjetër, lideri i së majtës France Insoumise (Franca e Pavarur), Jean-Luc Mélenchon, është distancuar hapur nga vandalët dhe plaçkitësit.

Në Gjermani, ndonëse protestat kanë qenë më të kufizuara se në Francë, drejtuesit opozitarë të spektrit tradicional politik të vendit kanë dënuar modelet e dhunës së protestuesve, me qëllim shmangien e radikalizimit të mëtejshëm të situatës së brendshme.

Në Spanjë, protestat janë përqendruar kryesisht te kriza e strehimit dhe pamundësia për të paguar qiratë. Megjithëse tensionet politike janë të larta për shkak të zgjedhjeve të parakohshme të nëntorit, partitë kryesore opozitare të krahut të djathtë, si Partido Popular (Partia Popullore) e të tjera, kanë mbajtur qëndrim të prerë se çdo shfaqje dhune apo vandalizmi dëmton kauzën sociale të qytetarëve.

Në Belgjikë, në Bruksel dhe Liezh, protestat e studentëve kundër rritjes së tarifave të regjistrimit u kthyen në përleshje të dhunshme, duke detyruar policinë të përdorte topa uji. Dhuna u dënua nga të gjitha forcat politike. Qeveria dhe opozita ndanë të njëjtin qëndrim se vandalizmi dhe destabilizimi i institucioneve nuk përfaqëson protestën legjitime.

Në Italinë fqinje, trazira të mëdha shpërthyen në qytete si Milano (ku u arrestuan qindra të mitur) dhe Bolonjë, duke kundërshtuar reformat në arsim dhe kostot e larta të jetesës. Reagimi i opozitës dhe i pushtetit ishte në një linjë, atë të dënimit të dhunës nga ana e protestuesve.

Kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, nga qendra e majtë, në opozitë me qeverinë qendrore, deklaroi se, ndonëse ankesat ekonomike dhe sociale të qytetarëve janë plotësisht të kuptueshme, “dhuna ndaj forcave të rendit dhe dëmtimi i rëndë i qytetit nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë”.

Po tek ne? Kur digjen institucionet e drejtësisë, si Gjykata e Lartë dhe vandalizohet Gjykata e Apelit, kur u vihet flaka ndërtesave qendrore shtetërore dhe kur shkatërrohen e plaçkiten bizneset e qytetarëve, heshtja e përfaqësuesve kryesorë të partive parlamentare tek ne është e rëndë. Ajo bëhet çështje e përgjegjësisë publike. Deputetët opozitarë që deklarojnë se janë kundër dhunës duhet ta dëshmojnë këtë me qëndrime të qarta, pa ekuivoke dhe pa llogari partiake.

Ku është kufiri midis opozitës politike dhe papërgjegjshmërisë?

Një nga përgjegjësitë themelore të opozitës në një demokraci është të kontrollojë qeverinë, të denoncojë korrupsionin, të kërkojë llogaridhënie dhe të përfaqësojë qytetarët që nuk pajtohen me politikat e shumicës. Opozita ka të drejtë të organizojë protesta, të kërkojë dorëheqje dhe të luftojë për ndryshimin e pushtetit.

Por pikërisht sepse ka këtë rol të rëndësishëm, ajo ka edhe një përgjegjësi të veçantë për mënyrën se si zhvillohet kundërshtimi politik. Kur dëmtohen institucione të drejtësisë, u vihet flaka mjediseve të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Ekonomisë e të tjera, si dhe shkatërrohen apo plaçkiten biznese, përfaqësuesit politikë opozitarë nuk mund të mjaftohen me deklarata të përgjithshme kundër dhunës. Ata duhet të flasin qartë për aktet konkrete, të kërkojnë hetimin e tyre dhe të distancohen nga çdo person që i ka kryer.

Nëse deputetët e partive opozitare deklarojnë se janë kundër dhunës, por nuk dënojnë publikisht akte të tilla, lind një kontradiktë serioze midis fjalëve dhe përgjegjësisë politike që mbajnë. Të deklarohesh kundër dhunës në parim dhe të heshtësh përballë akteve konkrete të dhunës nuk është e njëjta gjë.

Kjo është çështja thelbësore që duhet t’i shtrohet opozitës parlamentare shqiptare. Djegia e Gjykatës së Lartë nuk mund të trajtohet si një episod i zakonshëm proteste. Gjykata e Lartë është një institucion kushtetues, pjesë e sistemit të drejtësisë së vendit. Ajo nuk është pronë e qeverisë, e një partie apo e një grupi politik. Ajo u shërben qytetarëve dhe garanton funksionimin e një hallke të rëndësishme të rendit juridik.

Asnjë pakënaqësi politike nuk e justifikon djegien e një gjykate. Asnjë akuzë ndaj qeverisë nuk e kthen shkatërrimin e institucioneve të drejtësisë në akt demokratik. Pikërisht për këtë arsye, heshtja e partive politike opozitare, duke shmangur dënimin e qartë të këtij akti, është e rëndë.

Një opozitë që kërkon drejtësi duhet të jetë e para që mbron parimin se institucionet e drejtësisë nuk sulmohen fizikisht, por reformohen përmes ligjit, transparencës dhe llogaridhënies. Djegia nuk është reformë. Shkatërrimi nuk është drejtësi.

Ministria e Brendshme është një institucion i rëndësishëm i administratës shtetërore. Ajo mund dhe duhet të kritikohet për politikat e saj, për mënyrën e drejtimit të institucioneve në varësi dhe për çdo shkelje që mund të konstatohet. Nëse ka abuzime policore gjatë përballimit të protestës së dhunshme, ato duhet të hetohen. Nëse policia përdor forcë të tepruar, duhet të ketë përgjegjësi. Nëse drejtuesit politikë kanë shkelur ligjin, ata duhet të përgjigjen përpara organeve kompetente.

Mirëpo, nëse mjediset e katit të parë të Ministrisë së Brendshme janë përfshirë nga zjarri, kjo nuk mund të justifikohet me asnjë prej kritikave të mësipërme. Është e papranueshme që kërkesa për shtet ligjor të shoqërohet me veprime që rrezikojnë jetën e njerëzve dhe dëmtojnë institucionet publike.

Përfaqësuesit e opozitës kanë detyrimin moral dhe politik të bëjnë një dallim të prerë midis protestës kundër përdorimit të tepruar (sipas tyre) të forcës nga ana e policisë dhe sulmit ndaj institucioneve. Duke mos e bërë këtë dallim, ata krijojnë paqartësi mbi qëndrimin e tyre ndaj dhunës dhe dobësojnë besueshmërinë e mesazhit të tyre demokratik.

Qindra biznese të dëmtuara: viktimat e harruara të konfliktit politik

Ndoshta pasoja më e drejtpërdrejtë për qytetarët është dëmi që pësojnë bizneset. Nëse qindra biznese në Tiranë janë dëmtuar, djegur ose plaçkitur, pasojat nuk kufizohen te xhamat e thyer, pajisjet e shkatërruara apo mallrat e humbura.

Në këtë pikë, përgjegjësia e opozitës bëhet edhe më konkrete. Nëse ajo pretendon se përfaqëson qytetarët e pakënaqur me qeverinë, a do të mbrojë gjithashtu qytetarët që iu shkatërrua prona? A do të dënojë pa ekuivoke plaçkitjen e dyqaneve, edhe kur ajo ndodh në kontekstin e një proteste që opozita e mbështet politikisht?

Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje të qarta dhe deri sot, asnjë qëndrim opozitar nuk i ka dhënë. Në të kundërt, mbrëmë, në selinë e partisë kryesore opozitare, u strehuan të dyshuar nga policia për aktet e dhunës në Ministrinë e Mbrojtjes. Cili është mesazhi që protestuesve të tjerë të dhunshëm u jep kjo parti me këtë veprim: “vazhdoni, se ju mbrojmë ne”?!

Burimi: tirananews.al

Të fundit Të gjitha