Karriget që kryeministri Edi Rama i nxori sot nga ndërtesa e qeverisë për t’i vendosur në sheshin përballë saj si shenjë dialogu me protestuesit, u shkatërruan plotësisht prej tyre. Megjithatë, ky veprim simbolik për të refuzuar dialogun me kryesuesin e qeverisë ka lënë një pasojë të lidhur me historinë e vendit.
Në emisionin “Repolitix” në Report Tv, historiani Marenglen Kasmi shpjegon se karriget e kuqe i përkasin viteve ’30 dhe kanë mbijetuar Luftën e Dytë Botërore, pushtimin nazist dhe komunizmin. Ato janë restauruar.
Sa i përket protestës, ai e shikon të largët mundësinë për dialog dhe për të krijuar një aspiratë, ndërsa parashikon një zbutje të dhunës.
Marenglen Kasmi: Unë ende e shikoj të largët mundësinë për dialog, pasi kryeministri sot e ofroi atë. Por për karriget e kuqe që më erdhi shumë keq që u dëmtuan sot, besoj se më erdhi keq sepse janë të vjetra.
-Pse, kanë një histori këto karrige?
Marenglen Kasmi: Karriget janë të viteve ’30, të restauruara, dhe më erdhi shumë keq.
-Janë të vjetra, të republikës së parë?
Marenglen Kasmi: Janë karrige të institucionit, i mbijetuan Luftës së Dytë Botërore kur kjo ndërtesë gjatë pushtimit gjerman ka qenë edhe spital, i mbijetuan edhe komunizmit. Më erdhi keq, është diçka tjetër. Thelbi është që do të mbeten bosh edhe për disa kohë, sepse vetë protesta nuk do të nxjerrë një grupim që do të marrë në dorë drejtimin e saj, ta kanalizojë politikisht, të ketë një aspiratë në gjithë këtë betejë që po ndodh; besoj se do të vazhdojë. Mendoj gjithashtu se protesta do të vijë në rënie për sa i përket dhunës, shikojmë shenja të tilla dhe është krejt e natyrshme kështu, sepse do të afrohet koha që një grupim do të mundohet ta kanalizojë.
Burimi: shqiptarja.com










