Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, dhe analisti politik Afrim Krasniqi kanë marrë pjesë në një diskutim të tensionuar lidhur me gjendjen politike në vend dhe protestat e dhunshme që kanë prekur kryeqytetin gjatë ditëve të fundit.
Gjatë shkëmbimit të mendimeve në emisionin “Off the Record”, Shalsi përmendi një individ që kishte marrë mikrofonin gjatë protestës, duke pohuar se bëhej fjalë për një ish-punonjës të SHIK-ut në periudhën e Bashkim Gazidedes.
Analisti politik Afrim Krasniqi e kundërshtoi menjëherë këtë pretendim, duke deklaruar se personi në fjalë kishte qenë shef kabineti në SHIK-un gjatë kohës së mazhorancës aktuale.
Ndër të tjera, deputeti socialist theksoi se Shqipëria sot ndodhet në një gjendje më të mirë sesa më parë.
Shalsi: Prej 13 vitesh në këtë vend përsëritet i njëjti refren, ‘ku po shkon Shqipëria?’, krimi, pastrimi i parave, korrupsioni, ndërkohë…Shqipëria sot është shumë më mirë nga ç’ka qenë. Shihni pak debatet që janë bërë pas protestave në Spanjë. Shihni në televizionet italiane se çfarë lloj debatesh bëjnë. Nuk flasin me emocione, duke hedhur shashka, akuza. E pe sot kush e kishte marrë mikrofonin?! Pashë, pyeta, ishte një ish-punonjës i SHIK-ut të Gazidedes.
Krasniqi: Jo e ke gabim. Është shef kabineti i SHIK-ut tuaj.
Shalsi: Është eksponent i hapur i PD.
Krasniqi: Edhe Sterkaj, Bushati, Marjana kanë qenë tuajit por folën. Prandaj janë gjysmë të vërteta…
Shalsi: Kur unë denoncoj aktet e vandalizmit, kur ndërkohë përmend raste të disa policëve, unë kam kurajot t’i dënojë edhe ata policët…
Krasniqi: Ti ua rrite rrogën për të rrahur fëmijët.
Burimi: www.gazetatema.net










