Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Protestat, Petro Koçi: I ngjanin një revolte të armatosur, studentët të ngriheshin fillimisht kundër korrupsionit të një pjese të pedagogëve

Protestat, Petro Koçi: I ngjanin një revolte të armatosur, studentët të ngriheshin fillimisht kundër korrupsionit të një pjese të pedagogëve

Ish-deputeti socialist Petro Koçi e ka cilësuar protestën e dhunshme të ditëve të fundit si një revoltë pothuajse e armatosur, e cila sipas tij ka vënë në rrezik edhe jetën e njerëzve.

Këto deklarata Koçi i dha në një intervistë për Report Tv me gazetarin Nertil Agalliu, ku theksoi se brenda protestës ka edhe përbërës të Partisë Demokratike.

Sipas Koçit, një nga arsyet pse protestuesit nuk arritën të formonin një forcë politike është edhe PD. Ai shpjegoi se Sali Berishës i leverdis të mos krijohet një forcë e re opozitare.

“Duke marrë parasysh atë që ka ndodhur ditët e fundit, kjo është një revoltë dhe pothuajse një revoltë e armatosur. Në rastin e një proteste, është mirë që të ketë reflektim politik. Që në fillim të këtyre protestave, ato barazoheshin me PD-në. Aty ka elementë dhe brenda saj është edhe PD-ja. Deputetët e PD-së kanë qenë të pranishëm. E gjithë kjo protestë, e gjithë kjo frymë, nuk kanë arritur të çojnë në krijimin e një lëvizjeje politike të mirëfilltë, që nesër mund të jetë në zgjedhje. PD është një nga arsyet pse kjo nuk ka ndodhur. PD-së i intereson ky bllokim. Ndërkohë kjo do të ishte një lëvizje shumë e mençur”, tha ndër të tjera Koçi.

Për Petro Koçin, për sa kohë që Sali Berisha do të vazhdojë të jetë në krye të Partisë Demokratike, qeveria Rama do të mbetet në pushtet.

Ai i këshilloi studentët që fillimisht të ngrihen kundër asaj që ai e quajti korrupsion nga një pjesë e pedagogëve, pasi sipas Koçit, në universitete jepen para për të kaluar provimet.

“Këtë lloj qeverie, kushdo që e konteston dhe e rrëzon, është gjithmonë një opozitë. Por kjo opozitë, për sa kohë që do të ketë Sali Berishën në krye, nuk mundet. Studentët duhet të ngrihen fillimisht kundër korrupsionit të një pjese të pedagogëve. Në këtë botë ose je i korruptuar, ose nuk je. Ajo është sipas rastit që të vjen në dorë. Klasa politike është përmbysur. Shiko Parlamentin, i ke të gjithë të rinj. Nuk mundet që opozita të jetë e besueshme, për sa kohë të ketë në krye atë lidership që ka. Qytetarët e kanë vendosur, i kanë bërë një palë zgjedhje tani afër. E gjithë kjo përpjekje duhet të ishte materializuar në një platformë politike dhe në një moment politik”, shtoi Petro Koçi.

Burimi: tirananews.al

Të fundit Të gjitha