Prokuroria e Tiranës ka nisur vetëm tre procese penale në lidhje me lëndimet e protestuesve gjatë javës së kaluar, ndërsa deri më tani asnjë punonjës policie nuk është vënë nën hetim. Sipas informacioneve që Prokuroria e Tiranës i ka dhënë BIRN-it, pas një kërkese për informacion, është hapur hetimi për plagosjen e shtetasit L.B. gjatë protestës së 13 tetorit, kur për shkak të dhunës së ushtruar nga policia ai pësoi thyerje të kockës së njërës këmbë dhe ditën tjetër iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Gjithashtu, është nisur hetimi edhe për rastin e protestës së 16 tetorit para Ministrisë së Arsimit, kur një punonjës policie shtyu me forcë të riun M.S., i cili po qëndronte në këmbë pa bërë asnjë veprim. Efektivi që po vraponte e shtyu të riun me mburojën e tij, duke e përplasur në trotuar, çka i shkaktoi dëmtime të rënda shëndetësore.
Procedimet penale për këto ngjarje janë regjistruar për veprën penale “kryerja e veprimeve arbitrare”, e parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal. Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare nga ana e punonjësit që ushtron një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë detyrës së tij, të cilat cenojnë lirinë e shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në shtatë vjet.
Në të dyja këto raste, emri i asnjë punonjësi policie nuk është regjistruar si person nën hetim, ndërkohë që prokurorët kanë deleguar në policinë gjyqësore veprime hetimore për të mundësuar identifikimin e efektivëve që kanë kryer veprimet, si dhe për të siguruar provat.
Po ashtu, prokuroria bëri me dije se ka regjistruar kryesisht një procedim penal, bazuar në pamjet e publikuara në media dhe rrjetet sociale, të cilat sipas prokurorisë pasqyrojnë episode të mundshme të përdorimit joproporcional të forcës nga punonjësit e policisë gjatë protestës. “Nga ana e Prokurorisë po kryhen veprime në Spitalin Universitar të Traumës lidhur me personat e dëmtuar gjatë protestës, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spital, me qëllim sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e çdo rasti”, informon prokuroria dhe shton se kanë mbërritur edhe referime nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, për veprime të tjera të kryera nga punonjës të Policisë së Shtetit.
Nga ana tjetër, sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, gjatë protestave në Tiranë dhe në disa qarqe të vendit janë arrestuar 300 persona, përfshirë 33 të mitur. Ndërkohë, 559 persona janë proceduar penalisht, mes tyre 171 të mitur. Nga 859 të proceduar në total, një e katërta janë të mitur. Avokati i Popullit dhe organizatat e të drejtave të njeriut kanë dokumentuar pretendime për dhunë policore, dëmtime fizike dhe shkelje të garancive ligjore për mbrojtjen e fëmijëve.
Protestat, të nisura nga studentët dhe të mbështetura më pas nga gjimnazistët, janë nxitur nga pakënaqësia ndaj korrupsionit, mungesës së perspektivës dhe kostos së lartë të jetesës. Demonstratat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes palëve dhe dëmtime të pronës.
Burimi: www.reporter.al










