Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Koçiu: Skllavërimi i së ardhmes së Shqipërisë përmes skenarit të vjetër të pengmarrjes

Koçiu: Skllavërimi i së ardhmes së Shqipërisë përmes skenarit të vjetër të pengmarrjes

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu publikoi sot imazhe nga protestat e dhunshme të ditëve të fundit, si dhe nga ato të organizuara nga Partia Demokratike gjatë janarit dhe shkurtit të këtij viti, kur protestuesit hodhën molotovë drejt ndërtesës së Kryeministrisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu i konsideroi këto protesta si pjesë e të njëjtit skenar, duke ngarkuar organizatorët se synojnë të bllokojnë të ardhmen e vendit me anë të dhunës.

“I njëjti skenar. E njëjta dhunë. E njëjta dorë. Nën maskën e ‘kauzave’ që ndryshojnë sipas interesave të ditës, qëllimi mbetet i njëjti i vjetër: pengmarrja e së ardhmes së Shqipërisë”, shkroi Koçiu.

Zëvendëskryeministrja theksoi se shqiptarët e kanë parë këtë skenar, e kanë kuptuar këtë lojë dhe e kanë refuzuar atë me pjekuri e përmes votës.

“E refuzuan dje, e refuzojnë sot dhe do ta refuzojnë sërish sa herë që e shkuara të kërkojë të rikthehet me dhunë”, u shpreh ajo.

“Shqipëria nuk kthehet më pas”, shkroi Koçiu.

/gj.m/r.e/ /a.g/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha