Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kosova

Shefi i UNMIK-ut: Kosova nuk na informoi për protestat në Prishtinë

Shefi i UNMIK-ut: Kosova nuk na informoi për protestat në Prishtinë

Përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe kreu i misionit të UNMIK-ut, Peter Due, në raportin më të fundit për Kosovën, ka trajtuar zhvillimet politike dhe ato të sigurisë në vend gjatë periudhës 16 mars – 15 shtator 2026.

Në këtë raport, Due është fokusuar edhe në protestat e organizuara në Prishtinë pas vendimit të 16 shtatorit nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ai deklaroi se Policia e Kosovës, në përgjithësi, ka vepruar në mënyrë profesionale gjatë protestave, por kritikoi mungesën e koordinimit dhe të shkëmbimit të informacioneve me Kombet e Bashkuara.

“Policia e Kosovës njoftoi organizatat e tjera ndërkombëtare, por jo Kombet e Bashkuara, një shembull i bashkëpunimit të kufizuar që autoritetet në Prishtinë i ofrojnë UNMIK-ut. Koordinimi operacional midis aktorëve ndërkombëtarë ishte më pak se optimal”, thuhet në deklaratën e kreut të UNMIK-ut.

Due bëri të ditur se këto shqetësime i ka diskutuar me autoritetet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë.

Në raport, ai foli edhe për ndryshimet e miratuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat, sipas tij, kufizojnë kompetencat e Gjykatës Speciale.

“Theksoj edhe shqetësimin e shprehur nga BE-ja. Të pandehurit kanë të drejtë apelimi, por integriteti dhe pavarësia e procedurave gjyqësore duhet të respektohen dhe çdo veprim legjislativ duhet të jetë në përputhje të plotë me obligimet ligjore dhe ndërkombëtare të Kosovës”, deklaroi Due.

Kreu i UNMIK-ut kërkoi gjithashtu bashkëpunim të plotë nga Kosova dhe Serbia për të siguruar që përgjegjësit për sulmin në Banjskë dhe atë ndaj kanalit të Ibër-Lepencit të përballen me drejtësinë.

Në raport, Due përshëndeti edhe zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës si presidente e Kosovës.

Ai u ndal edhe te dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se vazhdimi i procesit nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian mbetet i rëndësishëm.

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha