Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Protestat e Gjeneratës Z në Gjermani, Merz premton dialog

Protestat e Gjeneratës Z në Gjermani, Merz premton dialog
Foto: lajmifundit.al

Protestat e të rinjve, Brezit Z, në Gjermani nxitën reagime në politikë. Kërkesat mbështeten gjerësisht, edhe nga qeveria. Por dhuna në fund të protestave paqësore zhvendosi debatin, shkruan Auron Dodi.

Mbështetja politike për kërkesat

Në tërësi, si qeveria ashtu edhe opozita kanë treguar mirëkuptim për kërkesat e protestuesve, të iniciuara nga iniciativa “Brezi Z rregullon” (“Gen Z regelt”). Kërkesat janë: më shumë para për shkollat, qira më të ulëta, kosto më të ulët jetese, mbrojtje më të madhe për klimën dhe drejtësi sociale.

Kancelari Friedrich Merz tha se demonstratat tregojnë „se të rinjtë interesohen për politikën”, dhe se qeveria duhet t’i marrë seriozisht këto shqetësime. Sidomos në tregun e banesave, sipas tij, ka „nevojë për veprim politik”.

Nga opozita, deputeti 25-vjeçar i partisë Të Majtët, Luke Hoß, tha se dëshiron që „brezi im të mos ketë frikë nga e ardhmja”. Por, theksoi ai, „ne lindëm në një botë që ishte e dëmtuar”.

Ministrja e Arsimit, Karin Prien nga partia CDU e kancelarit Merz, ofroi këtë javë një takim me përfaqësues të nxënësve dhe me sindikatën e arsimit GEW. Ajo tha se të rinjtë kanë „shumë të drejtë” t’i ngrenë këto çështje dhe i ftoi për dialog më të thellë, sepse, siç u shpreh, „pjesa dërrmuese demonstroi paqësisht”.

Presidenti i Lidhjes së Qyteteve Gjermane, që përfaqëson rreth 3200 qytete dhe komuna, Burkhard Jung, tha se të rinjtë që protestojnë „duan ta bashkëformësojnë të ardhmen e tyre”.

Shumë grupe parlamentare në Bundestag mbështetën gjithashtu objektivat e protestës. Por shfaqjet e dhunës në fund të protestave e tronditën opinionin dhe nxitën një debat të mërkurën (04.11) në Bundestag.

Bilanci i protestave: çfarë ndodhi

Protestat e së shtunës (31.10.) të Brezit Z (14–29 vjeç) u zhvilluan në 34 qytete, me rreth 120.000 pjesëmarrës sipas organizatorëve. Sipas policisë, numri ishte gjysma e kësaj shifre.

Gjatë ditës protestat ishin të qeta dhe paqësore, por kur erdhi nata pati shfaqje dhune në shtatë nga 34 qytetet. Dhuna erdhi nga persona nga të cilët organizatorët e iniciativës “Brezi Z rregullon” u distancuan.

Dëmet më të mëdha ndodhën në Frankfurt mbi Main, ku pati dyqane të plaçkitura, mes tyre edhe një dyqan armësh, dhe vitrina të thyera. Më shumë se 100 policë u plagosën. Në të gjithë Gjermaninë u bënë 200 arrestime.

Policia: përgatitje prej javësh, kontroll i decentralizuar

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt (CSU), tha se policia gjermane i pengoi shfaqjet e dhunshme, si ato që u panë në Paris. Këtë e tha në një intervistë për gazetën Bild dhe e përsëriti në Bundestag.

Policia ishte e pranishme masivisht dhe forcat u dislokuan në mënyrë decentralizuar. Ajo kishte vëzhguar grupet radikale dhe pikat potenciale të tensionit. Qeveria kishte përgatitur këto demonstrata prej javësh: Dobrindt drejtoi, bashkë me drejtuesit e policisë federale, një qendër koordinimi me landet gjermane. Në mesnatë ai shkoi vetë në një vend ku kishte ndodhur përplasje.

Kush i kreu aktet e dhunës dhe si quhet migranti

Ministri i Brendshëm i Hessenit (ku ndodhet Frankfurti), Roman Poseck nga CDU, tha se shumica e të arrestuarve kishin pasaportë gjermane, por shtoi se mes dhunuesve mbizotëronin migrantët. Dobrindt foli për demonstrata paqësore që mbrëmjen u morën nën kontroll nga grupe të majta të gatshme për dhunë dhe nga huliganë migrantë. Kancelari Merz e mbështeti këtë përshkrim.

Debati në Gjermani shkon përtej aspektit penal dhe ngre pyetjen se kur një person në Gjermani duhet të quhet migrant.

Debati i ndezur në Bundestag

Diskutime të përqendruara u zhvilluan në Bundestag të mërkurën, në orën e posaçme për temat aktuale. Reagime pati edhe në bisedat televizive.

Deputeti i AfD-së, Bernd Baumann, tha se Gjermania ndodhet tani „në buzë të humnerës” dhe që shpërthimet e dhunës tregojnë „çfarë forcash shkatërruese po mblidhen”. Sipas tij, pas tyre qëndron „e majta ekstreme politike”, që dëshiron të përmbysë shoqërinë, e cila „bashkohet me mjedise gjigante migrantësh radikalë, para së gjithash me ata myslimanë, që nuk duan të integrohen”. Baumann tha se vetëm AfD-ja është ende një mburojë kundër keqësimit të situatës.

Ministri Dobrindt u përgjigj se „është një pamje e shtrembëruar, ajo që po vizatoni këtu”. Policët e përgatitur mirë, tha ai, siguruan që të mos kemi „beteja rrugore dhe as plaçkitje masive si në Francë”.

Nga SPD, ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius tha në televizion se janë padyshim kriminelë ata që sulmojnë dhe plagosin policët, por nuk e pranoi terminologjinë e ministrit të Brendshëm. „Çfarë janë grupet migrante?”, pyeti ai. „A janë këta (edhe) njerëz që jetojnë në brezin e tretë në Gjermani dhe janë shtetas gjermanë? Ku do të pushojmë ne së diferencuari?”

Të Gjelbrit mbajtën të njëjtin qëndrim. Deputeti Marcel Emmerich pyeti: „Kur është njeriu migrant? Kur ka emigruar vetë në një vend? Kur kanë emigruar prindërit?” Sipas tij, cilësime të pasqaruara plotësisht shkaktojnë më tepër dëm social.

20 nëntori: prova e radhës

Debati është i kuptueshëm, sepse aktualisht 31 për qind e popullsisë gjermane ka prejardhje migrante, ndërsa në qytetet e mëdha përqindja është edhe më e lartë.

Protesta e radhës e madhe e Brezit Z është caktuar për 20 nëntor. Në rast dhune, tha Dobrindt në Bundestag, do të jemi të përgatitur. /DW

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha