Mbrëmë ish-presidentja Vjosa Osmani, tani deputete e LDK-së, ka sulmuar sërish ashpër ish-kryeministrin e Kosovës dhe ish-bashkëpartiakun e saj, Isa Mustafën.
Sulmet ndaj figurave politike
Në paraqitjen e mbrëmshme, Vjosa Osmani sulmoi pothuajse çdo figurë politike që ka funksionuar apo vazhdon të jetë aktive në Kosovë. Përjashtim bën miku i saj, Lumir Abdixhiku, i cili humbi tri zgjedhje radhazi, por që së bashku me Osmanin u takua në çdo takim me Albin Kurtin, me synimin për të siguruar ndonjë prej posteve drejtuese.
Derisa fliste për Qeverinë Kurti, Osmani tha se ajo duhet të përmirësohet dhe të mos bëhet kopje e qeverive të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës.
“Le të përmirësohen, jo të bëhen kopje të këqija të Isës dhe Hashimit. Duhet të kenë më shumë ambicie. Edhe unë si presidente për dy vite është dashur të merrem me pasojat e dëmeve që i kanë bërë të tjerët përpara”, tha mbrëmë Osmani në Kanal10.
Ndaj kësaj deklarate reagoi ish-kryeministri Isa Mustafa.
“Është dëm të merrem me të. Është katandisur keq”, u shpreh Mustafa në lajmin e mbrëmjes.
Deklarata për bashkëpartiakët dhe Avdullah Hotin
Osmani sulmoi edhe bashkëpartiakët e saj, konkretisht gjashtë deputetët që ishin kundër marrëveshjes VV-LDK për çështjen e presidentit.
“Ata thanë para se të kthehet kërko falje, dhe unë ju thash jo, nuk kërkoj falje për asgjë. Sepse LDK-ja më ka lutur të rikthehem. Asgjë nuk i kam kërkuar LDK-së, as nuk i kam kërkuar pozicion partiak, as sot nuk i kërkoj asgjë. Jam kthyer të ndihmoj. Natyrisht që kjo i pengon SHIK-ut. Po pse disa po veprojnë në interes të tyre brenda partisë është e tmerrshme, është e dëmshme”, tha ajo.
Gjatë intervistës, ajo tha edhe atë që as VV-ja nuk e kishte thënë deri tani: sipas saj, Avdullah Hoti është bërë kryeministër i Kosovës me vota të vjedhura.
“Dhe në qoftë se mendojnë që tani e tutje unë do ta ul kokën, sepse unë si presidente, edhe në kohë fushate, ua kam përballuar ofendimet, dhe tani për një kohë të gjatë. Sepse mendoja se ndoshta ata i kuptojnë gabimet e së kaluarës. Ndoshta ata e kuptojnë që shkarkimi im ka qenë gabim, ndoshta ata e kuptojnë që rrëzimi i një qeverie në kohë pandemie ka qenë gabim. Ndoshta Hoti e kupton që fakti që i ka kontrabanduar votat që i kam marrë unë si kandidate për kryeministre, dhe me vota të vjedhura dhe me vullnet të vjedhur qytetar, e ka bërë atëherë qeverinë gabim”, tha ajo, duke u marrë edhe me deputeten Hykmete Bajrami.
“Ndoshta znj. Bajrami e kupton që të dalësh publikisht dhe të thuash se nuk ka problem me Listën Serbe është gabim që e dëmton partinë pa mundësi riparimi. Ndoshta z. Hoti e kupton që nuk është mirë të zgërdhihesh para Vuçiqit dhe t’i thuash “razumem”. Ditën që e kuptojnë çfarë dëmi i është bërë partisë nga këto gabime, ajo është dita kur LDK-ja fillon të rikthehet”, tha Osmani.
Madje, sipas saj, këta deputetë i shërbejnë SHIK-ut.
Në lidhje me këtë deklarim, reagoi ashpër ish-kryeministri, tani deputet, Avdullah Hoti.
“Turizmi politik është aktivitet joetik në politikë. Koha po i sqaron të gjitha. Kur mbaron sezoni i turizmit politik, mbetesh në rrugë, i frustruar, i nervozuar, deri në ofertën turistike politike të radhës. Matrapazët politikë mund ta gjejnë ndonjë ofertë. Por shtëpia nuk zëvendësohet me strehën e kundërshtarit, që të shfrytëzon për interesa të veta. Sërish, koha po i nxjerr në dritë të gjitha të vërtetat”, shkroi Hoti.
Lajmi.net u ka dërguar pyetje edhe deputetëve të tjerë të LDK-së, Hykmete Bajramit dhe Armend Zemajt, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kanë marrë përgjigje.
Burimi: insajderi.org










