Politologu Adri Nurellari, në një intervistë televizive, deklaroi se kriza e besimit në vend kërkon një zgjidhje politike dhe marrje përgjegjësie, duke theksuar se shtimi i masave policore nuk i jep përgjigje pakënaqësisë së qytetarëve.
Sipas tij, dorëheqja e kryeministrit dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme do të përbënin një mënyrë për të rifituar legjitimitetin politik, në një kohë kur, siç u shpreh ai, skandalet e muajve të fundit kanë përfshirë nivelet më të larta të qeverisjes dhe institucioneve të sigurisë.
“Mandati nuk është një çek i bardhë që e lejon kryeministrin ta trajtojë si pronë të vet shtetin dhe ligjet”, u shpreh Nurellari, duke argumentuar se pushteti duhet të japë llogari përpara qytetarëve.
Duke komentuar rolin e opozitës, politologu u shpreh se Partia Demokratike është përqendruar më shumë te konfliktet e brendshme sesa te ndërtimi i një alternative politike që u përgjigjet kërkesave të shoqërisë.
Sipas Nurellarit, opozita nuk duhet të mbështetet vetëm te pakënaqësia ndaj qeverisë, por duhet të reflektojë mbi drejtimin e saj dhe të paraqesë një ofertë të re për qytetarët.
Ai vlerësoi se edhe partitë e tjera opozitare duhet ta shohin situatën si një sfidë për të rishikuar mënyrën se si përfaqësojnë qytetarët.
Nurellari theksoi se protesta duhet parë si reagim ndaj problemeve dhe pakënaqësive të krijuara, dhe jo si një lëvizje që duhet të paraqesë menjëherë një program të plotë qeverisës.
Ai u shpreh se mbështet kauzën e protestës për llogaridhënie dhe mbajtje përgjegjësie, ndërsa distancoi këtë qëndrim nga aktet e dhunës dhe vandalizmit, të cilat, sipas tij, nuk duhet të zhvendosin vëmendjen nga kërkesat kryesore të protestuesve.
“Protesta është një reagim mbarëpopullor, i përfaqësuesve të të gjitha partive, për skandalet, shqetësimet, problemet e deritanishme”, deklaroi ai.
Sipas politologut, protesta u ka përcjellë një mesazh të qartë partive politike se një pjesë e qytetarëve, veçanërisht të rinjtë, nuk ndihen të përfaqësuar nga sistemi aktual dhe kërkojnë një alternativë që t’u japë shpresë për të ardhmen.
Nurellari nënvizoi se partitë politike do të gabonin nëse do ta konsideronin protestën si një zhvillim që favorizon automatikisht njërën palë. Sipas tij, pjesëmarrja qytetare dhe kërkesat për ndryshim tregojnë se pakënaqësia shkon përtej përplasjes mes mazhorancës dhe opozitës.
Ai vlerësoi gjithashtu se protestat kanë rikthyer vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe kanë nxitur angazhimin politik të një brezi të ri, i cili deri tani, sipas tij, e ka parë emigrimin ose përshtatjen me sistemin si alternativat kryesore.
Në përfundim, politologu u ndal te raporti mes drejtësisë dhe politikës, duke theksuar se mënyra se si do të trajtohen çështjet e llogaridhënies do të tregojë se kush mbështet integrimin evropian dhe kush e pengon atë.
Sipas Nurellarit, përdorimi i imunitetit për të shmangur përgjegjësinë përpara drejtësisë do të përbënte një tregues të rëndësishëm në këtë drejtim.
Burimi: sot.com.al










