Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Protesta kundër maskimit dhe ligji që parashikon burg për fshehjen e fytyrës

Protesta kundër maskimit dhe ligji që parashikon burg për fshehjen e fytyrës

Prania e personave me maska në tubimet e zhvilluara së fundmi në Tiranë sjell sërish në vëmendje një temë që shkon përtej përballjes politike: çfarë përcakton legjislacioni shqiptar në lidhje me pjesëmarrjen në protesta duke e mbajtur identitetin të fshehur?

Protesta është e drejtë e garantuar nga Kushtetuta, nuk është një favor që shteti u bën qytetarëve. Megjithatë, ushtrimi i kësaj të drejte njeh kufij të caktuar nga ligji. Një ndër ta ka të bëjë pikërisht me moszbulimin e identitetit gjatë tubimeve publike.

Ligji nr. 8773, datë 23.4.2001, «Për tubimet», në nenin 19, parashikon në mënyrë të qartë:

«Ndalohet pjesëmarrja në tubim me veshje të tilla ose përdorimi i sendeve të tjera me qëllim fshehjen e identitetit të personit.»

Legjislacioni shkon edhe më larg. Neni 24, shkronja «c», e konsideron cenimin e kësaj dispozite si kundërvajtje penale, e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

Pra, nuk bëhet fjalë për një sugjerim etik apo për një interpretim politik, por për një ndalim të shprehur qartë në ligj. Për më tepër, për të vërtetuar shkeljen nuk kërkohet domosdoshmërisht që personi me maskë të ketë kryer edhe akte dhune.

Çfarë po ndodh në protestat e Tiranës?

Në protestat e fundit në kryeqytet u vërejtën grupe pjesëmarrësish me fytyra të mbuluara. Sipas raportimeve të Policisë së Shtetit për protestën e 14 tetorit, si dhe në ditët pasuese, persona të maskuar u përfshinë në hedhjen e gurëve, sendeve të forta dhe koktejeve molotov, si dhe në dëmtimin e pronës.

Këto ngjarje ngrenë një pyetje të drejtpërdrejtë ligjore.

Sigurisht, nuk është çdo mbulim fytyre që përbën automatikisht vepër penale. Mund të ketë arsye shëndetësore, atmosferike ose mbrojtjeje nga gazi lotsjellës. Faktori vendimtar sipas nenit 19 është qëllimi për të fshehur identitetin.

Por kur persona marrin pjesë në mënyrë të organizuar me fytyra të fshehura, përfshihen në përplasje dhe më pas largohen duke e vështirësuar identifikimin, ka arsye të forta për të hetuar shkeljen e kësaj dispozite.

Përgjegjësia e policisë dhe organizatorëve

Nëse ligji e ndalon shprehimisht këtë sjellje, Policia e Shtetit duhet të shpjegojë pse nuk e ka zbatuar deri më tani këtë dispozitë gjatë protestave.

A janë identifikuar pjesëmarrësit e maskuar? A është dokumentuar qëllimi i fshehjes së identitetit? A është përdorur neni 24 në procedimet penale të nisura?

Këto pyetje nuk kërkojnë ashpërsim arbitrar të ndërhyrjes policore, por zbatim të njëtrajtshëm të ligjit.

Edhe organizatorët politikë kanë përgjegjësinë të distancohen nga dhuna dhe të mos inkurajojnë praktika të paligjshme. Ndërkohë që ankohen për shkeljet ligjore të shtetit dhe policisë, ata duhet të pranojnë se protestat ku edhe ata janë protagonistë, janë të gjitha në shkelje ligjore së paku sa i takon mbulimit të fytyrës.

Nga ana tjetër, prania e personave të maskuar nuk mund të përdoret si justifikim për të delegjitimuar një protestë të tërë. Neni 47 i Kushtetutës garanton lirinë e tubimeve paqësore dhe pa armë. Policia duhet të dallojë protestuesit paqësorë nga autorët e shkeljeve dhe të veprojë në mënyrë proporcionale.

Ligji nuk ka ngjyrë politike

Debati për protestat e fundit nuk duhet të reduktohet te pyetja se kush i organizoi ato apo kundër kujt drejtoheshin. Neni 19 i ligjit «Për tubimet» nuk bën dallim midis protestuesve të majtë, të djathtë apo mbështetësve të një force të caktuar politike.

Nëse fshehja e qëllimshme e identitetit përbën kundërvajtje penale, institucionet duhet ta trajtojnë si të tillë, pavarësisht përkatësisë politike të pjesëmarrësve.

Po kështu, çdo tejkalim i kompetencave nga policia duhet t’i nënshtrohet kontrollit ligjor.

Një protestë nuk bëhet më demokratike duke fshehur identitetin e pjesëmarrësve, ashtu si një qeveri nuk bëhet më demokratike duke kufizuar të drejtën e kundërshtarëve për të protestuar.

Shteti ligjor provohet pikërisht këtu: në aftësinë për të garantuar njëkohësisht lirinë e protestës dhe zbatimin e ligjit. Sepse çështja nuk është nëse qytetarët kanë të drejtë të protestojnë kundër pushtetit. Këtë të drejtë ua garanton Kushtetuta.

Çështja është nëse, gjatë ushtrimit të saj, ligji vazhdon të vlejë njësoj për të gjithë.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha