TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Drejtuesja e Përgjithshme e Agjencisë për Media dhe Informim, Manjola Hasa u paraqit sot përpara Kryeministrisë gjatë protestës së pedagogëve, me qëllim që të përsëriste ftesën e kryeministrit Edi Rama për të hapur një diskutim me protestuesit.
Hasa deklaroi se studentët, të rinjtë dhe qytetarët që duan të bisedojnë me kreun e qeverisë janë të mirëpritur dhe se dyert mbeten të hapura për ta.
“Unë ndodhem këtu për shkak të ftesës së hapur për dialog, për këdo që ka interes të bisedojë me kryeministrin. Ka studentë, të rinj dhe qytetarë që janë të interesuar të dialogojnë. Unë jam këtu. Nuk jam këtu për të folur në cilësinë e vendimmarrëses. Jam në emër të qeverisë. Qytetarët që dëshirojnë të zhvillojnë këtë dialog me kryeministrin janë të mirëpritur, i kanë dyert e hapura”, tha Hasa.
Pedagogët nisën sot marshimin paqësor në mbështetje të studentëve, të cilët po protestojnë prej 7 ditësh në Tiranë.
/k.s/j.p/
Burimi: ata.gov.al









