Në mëngjesin e kësaj dite, kryeministri Edi Rama kishte vendosur disa karrige përpara ndërtesës së Kryeministrisë, duke lënë mbi secilën prej tyre një letër me një mesazh që nënkuptonte “dialog”.
Menjëherë pas nisjes së protestës, studentët marshuan drejt Kryeministrisë dhe grisën të gjitha letrat në fjalë. Gjatë kësaj kohe, ata patën edhe një përballje me drejtoreshën e MIA-s, Manjola Hasa.
“Unë nuk ndodhem këtu për të bërë deklarata politike, por jam këtu që nëse ka studentë të cilët dëshirojnë të bisedojnë me kryeministrin, t’ua përcjell kërkesën atyre. Kryeministri e mban qëndrimin e tij. Kushdo që dëshiron dialog është i mirëpritur, kryeministri mbetet i hapur për dialog”, deklaroi Manjola Hasa.
“Së pari jep llogari për arsyen pse policia ushtron dhunë ndaj studentëve pa asnjë identifikim, e vetëm pas kësaj kërko dialog”, u shpreh një prej protestuesve në drejtim të drejtoreshës së agjencisë për Media dhe Informim.
Burimi: www.gazetaexpress.com










