Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Kryeministri u tregon burgun fëmijëve, tre javë pasi ndryshoi ligjin për të shmangur arrestimin e zyrtarëve të korruptuar

Kryeministri u tregon burgun fëmijëve, tre javë pasi ndryshoi ligjin për të shmangur arrestimin e zyrtarëve të korruptuar

Nga Migena Aleksi

Kryeministri i qeverisë “socialiste” pohoi se këtë praktikë e zbaton edhe Bashkimi Evropian! Në cilin shtet demokratik të botës një ekzekutiv që deklaron se po e drejton vendin drejt BE-së vendos t’u kanosë fëmijët dhe t’i shkarkojë nga përgjegjësia penale zyrtarët e korruptuar?

Paralajmërimi i fundit i kryeministrit Edi Rama për të ulur moshën e përgjegjësisë penale për nxënësit që marrin pjesë në protestat kundër tij përbën një veprim të pahijshëm. Kryeministri përmendi sërish BE-në, por me siguri bëhet fjalë për një BE që vetëm ai e njeh. Në Bashkimin Evropian që njeh bota, ndërtohen shkolla më të sigurta, qendra për të rinjtë, sisteme psikologjike rehabilitimi, hapësira ku brezi i ri dëgjohet, ndërsa nuk përgatiten pranga për fëmijët.

Mesazhi ka për qëllim frikësimin. Nëse je nën 18 vjeç dhe del në shesh për të protestuar për të drejtat e tua, për arsimin apo për të ardhmen tënde, shteti do të të trajtojë si kriminel. Prangat e qelisë gati për fëmijët – thotë “kryesocialisti’ i vendit, por kjo përbën vetëm gjysmën e këtij turpi publik. ​

Ndërkohë që ndaj fëmijëve deklaron se po përgatitet dora e hekurt e shtetit, ndryshimet e fundit ligjore në Kodin e Procedurës Penale, të prezantuara vetëm 3 javë më parë, po nga Rama, me vendosjen e pragut 5 vjeçar garantojnë mekanizmat e heqjes së burgimit, zbutjes së dënimeve dhe u hapin rrugën e lirisë zyrtarëve të korruptuar.

Për këta zyrtarë të lartë, drejtorë dhe politikanë që kapen me duar në thesin e parave publike, ligji papritur bëhet i butë, i kuptueshëm dhe “human”. Për ta nuk ekziston më burg; ka shërbim prove, dënime me kusht dhe amnistira që i kthejnë prapë në komoditetin e vilave ku jetojnë.

Fëmijët në burg, hajdutët në liri. ​Revolta rinore dënohet, korrupsioni shtetëror fshihet nën tapet. ​Të pafuqishmit ndëshkohen me rreptësi ekstreme, ndërsa të pushtetshmit mbrohen me nene e paragrafe të qepura sipas masës. Periferia dhe qendra sipas “kryesocialistit”.

https://gazetadita.al/wp-content/uploads/2026/10/VID-20261020-WA0031.mp4

Si për të vulosur këtë teatër të dyfishtë, pikërisht sot vendi u përball me sprovën e radhës të këtij “standardi të ri”: ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u la sërish e lirë, ndonëse mbi të rëndojnë akuza tronditëse për korrupsion, pastrim parash dhe manipulimin e tenderave publikë që kapin vlerën stratosferike të 1.2 miliardë eurove.

Ndërsa për pushtetarët që tjetërsojnë miliardat e shqiptarëve shteti gjen hapësira ligjore, tolerancë procedural-hetimore e zgjatje afatesh, për fëmijët e adoleshentët që dalin në rrugë kundër pamundësisë dhe varfërisë, i njëjti kryeministër gjen kurajos të artikulojë prangat, qelitë e burgut dhe uljen e moshës penale.

Kjo është prova më e qartë se si pushteti e përdor drejtësinë si mburojë për vetveten dhe si kamçik për qytetarët. Ky standard i dyfishtë po e kalb këtë shoqëri nga brenda. Një shtet që lufton fëmijët që protestojnë dhe fal zyrtarët që vjedhin është një regjim i neveritshëm. Asnjë shoqëri nuk mund të përparojë kur drejtësia tregon grushtin ndaj më të dobëtve dhe u ofron dorën e ngrohtë të mbrojtjes atyre që e kanë kthyer shtetin në pronë private.

DITA

 

Burimi: gazetadita.al

Të fundit Të gjitha