Përmes një letre të hapur drejtuar përfaqësive diplomatike dhe institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri, ish-deputetja socialiste Marjana Koçeku u bën thirrje atyre të ndërmarrin veprime dhe të kërkojnë një hetim të pavarur lidhur me dhunën policore gjatë protestës së të rinjve, si dhe për ndërhyrjet e individëve të veshur civilisht, të cilët nuk mbanin shenja identifikuese të policisë.
Letra është adresuar drejt Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Prezencës së OSBE-së, Zyrës së Këshillit të Evropës, Kombeve të Bashkuara, si dhe misioneve diplomatike të akredituara në Shqipëri.
Deputetja e qarkut të Shkodrës, Koçeku, kishte dhënë dorëheqjen nga mandati si deputete e Partisë Socialiste në muajin qershor, duke u rreshtuar në mbështetje të protestave kundër qeverisë dhe duke vepruar si deputete e pavarur në Kuvend.
Në letrën drejtuar faktorit ndërkombëtar, ajo shpreh shqetësimin “për dhunën e rëndë të ushtruar nga policia ndaj protestuesve, në veçanti ndaj të miturve, për ndalimet arbitrare dhe për ndërhyrjet e personave të veshur civilisht, pa identifikim policor, gjatë protestave të fundit në të gjithë Shqipërinë”.
“Duke qenë personalisht e pranishme në protesta, kam parë vendosmërinë e të rinjve shqiptarë, të cilët kërkojnë ndryshim, llogaridhënie dhe një të ardhme më të mirë, në kushtet e pakënaqësisë së përhapur ndaj korrupsionit, mundësive të kufizuara dhe dështimeve institucionale”, shkruan ajo duke shtuar se këto kërkesa të tyre kërkojnë përgjigje serioze politike dhe institucionale.
“Në vend të kësaj, veprimet e fundit të forcave të rendit kanë ngritur pikëpyetje të rënda për mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore”, vëren deputetja.
Koçeku e konsideron alarmante dhunën e ushtruar ndaj të miturve.
Ajo kërkon gjithashtu hetimin e ndërhyrjeve të personave të veshur civilisht dhe pa shenja të dukshme identifikimi policor, të cilët, sipas saj, kanë larguar me forcë protestuesit nga tubimet. Ajo kërkon që autoritetet të sqarojnë identitetin dhe statusin e këtyre personave, kompetencat që kanë pasur, bazën ligjore të ndërhyrjeve, zinxhirin e komandimit dhe vendin ku janë mbajtur personat e privuar nga liria. Sipas deputetes, edhe personeli policor me veshje civile është i detyruar të veprojë brenda ligjit dhe të respektojë të drejtat e personave të ndaluar.
Në letër ngrihen pikëpyetje edhe për planifikimin, drejtimin dhe mbikëqyrjen e operacioneve policore, për të cilat deputetja kërkon që hetimi të mos kufizohet vetëm te përgjegjësia individuale e efektivëve, por të shqyrtojë edhe udhëzimet e dhëna, rrethanat në të cilat është përdorur forca dhe përgjegjësinë e drejtuesve të operacioneve. Ajo thekson se liria e shprehjes dhe e tubimit paqësor janë të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndërsa përdorimi i forcës duhet të respektojë parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit.
Koçeku u kërkon misioneve ndërkombëtare të dënojnë publikisht dhunën ndaj protestuesve, të kërkojnë hetime të menjëhershme, të pavarura dhe të paanshme për dhunën, keqtrajtimet dhe ndalimet e paligjshme, si dhe një shqyrtim të pavarur të ndërhyrjeve të personave civilë. Ajo kërkon vëmendje të posaçme për të miturit e ndaluar dhe respektimin e garancive të tyre procedurale, ndërsa u bën thirrje përfaqësive diplomatike që këto shqetësime t’ia përcjellin Qeverisë shqiptare përmes kanaleve diplomatike.
Burimi: www.reporter.al










