Policia e Shtetit bëri të ditur të hënën, më 19 tetor, se gjatë ditës së sotme është identifikuar një komunikim elektronik në formën e një email-i, i cili është dërguar në disa adresa të institucioneve dhe përmban kërcënime lidhur me vendosjen e mjeteve shpërthyese dhe kryerjen e akteve terroriste.
Nga ana e policisë, thuhet se kontrollet fillestare tregojnë që ky mesazh është nisur nga një adresë elektronike që i takon një institucioni arsimor në Arabinë Saudite. Në njoftim theksohet se mënyra e dërgimit të këtij mesazhi ka ngjashmëri me raste të mëparshme, kur mesazhe me përmbajtje kërcënuese janë dërguar nga adresa elektronike të kompromentuara, të cilat u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit.
Policia saktësoi se po kryen hetime për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, me synim zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e personave përgjegjës për dërgimin e tij.
Gjatë javës së kaluar, kur në kryeqytet dhe në disa qarqe të vendit u zhvilluan protesta të të rinjve që sollën përplasje të dhunshme mes tyre dhe policisë, Policia e Shtetit dhe kryeministri Edi Rama deklaruan se këto protesta po organizohen nga faktorë të jashtëm e të brendshëm, për qëllime të errëta.
Drejtori i Policisë, Skënder Hita, deklaroi më 15 tetor se pas maskave që udhëheqin protestën janë individë të rekrutuar për qëllimet e errëta të organizatorëve të vërtetë të kësaj proteste, brenda e jashtë vendit.
Kryeministri Edi Rama ka fajësuar opozitën dhe forca të huaja, duke pretenduar se synonin të destabilizonin vendin dhe të pengonin rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Të hënën, kryeministri Edi Rama akuzoi Rusinë, Iranin dhe lëvizjen ANTIFA për nxitjen e protestave kundër qeverisë, pa paraqitur prova për pretendimet e tij. Ai premtoi shpërblime prej 2,500 eurosh për policët dhe paralajmëroi sanksione financiare ndaj studentëve dhe familjeve të të miturve të përfshirë në akte dhune.
Komisioni Europian ka dënuar aktet e dhunës dhe sulmet ndaj institucioneve gjatë protestave kundër qeverisë së Edi Ramës, por ka theksuar se ndërhyrjet e autoriteteve duhet të jenë të ligjshme dhe proporcionale, duke garantuar të drejtën e tubimit paqësor.
Burimi: www.reporter.al










