Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, u goditë me gaz lotsjellës nga policia gjatë një proteste sot.
Pamjet që ai publikoi në llogarinë e tij në rrjetet sociale tregojnë se ai po filmonte momentet kur efektivë me skafandra dhe kaska po i ndiqnin dhe i godisnin protestuesit nga pas. Kapri po u kërkonte llogari atyre pse po i dhunonin protestuesit, të cilët sipas tij ishin paqësorë.
Sulmi ndaj deputetit
Pavarësisht se u identifikua si deputet, Kapri u sulmua me substancë helmuese nga një efektiv policie. Ai shkruan se një polic i cili e kishte identifikuar i erdhi nga pas dhe i hodhi gaz drejt e në fytyrë.
“Para syve të mi, disa të rinj po goditeshin nga policia pa mëshirë me shkopinj gome. Teksa u kërkoja të ndalonin, një polic që më kishte identifikuar më erdhi nga pas dhe më hodhi pabesisht një sasi të madhe gazi helmues drejt e në fytyrë.
Nëse një polic guxon ta bëjë këtë ndaj një deputeti, mes sheshit, mendoni çfarë u kanë bërë të rinjve nëpër rrugica! Do mbani përgjegjësi, një më një! Nuk na ndalni!”, shkruan Kapri në rrjetet sociale.
Burimi: lajmifundit.al










