Vlora Çitaku, sekretare e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, ka shprehur kritika ndaj Ekaterina Trendafilova, kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke vënë në pikëpyetje mënyrën e udhëheqjes së këtij institucioni dhe duke kërkuar transparencë më të madhe si dhe përgjegjshmëri.
Në një deklaratë publike, Çitaku vlerësoi se një fjalim i regjistruar në video, pa hapësirë për t’u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, nuk ofron zgjidhje për shqetësimet e ngritura ndër vite në lidhje me punën e Gjykatës Speciale.
“Nën udhëheqjen tuaj, Specialja ka dëmtuar rëndë besimin në drejtësi. Një procedurë e padrejtë, mungesë transparence, përgjegjshmëri e dobët dhe mangësi të rënda në mbikëqyrje. Shqetësimet e ekspertëve ndërkombëtarë për barazinë e palëve, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe monitorimin e pavarur kërkojnë përgjigje konkrete. Ju na ofroni deklarata vetëlavdëruese”, ka shkruar nënkryetarja e Kuvendit.
“Pavarësia nuk ju vendos mbi ligjin. Prejardhja ndërkombëtare e gjyqtarëve nuk është garanci pagabueshmërie”, ka shkruar Çitaku, duke kërkuar që Trendafilova të përballet me gazetarët dhe t’u përgjigjet pyetjeve të vështira.
Sipas saj, kritikat ndaj Gjykatës Speciale nuk mund të konsiderohen thjesht si dezinformim, por duhet të marrin përgjigje konkrete dhe të trajtohen me seriozitet.
Çitaku ka theksuar gjithashtu se përgjegjësia për mënyrën e drejtimit të gjykatës bie edhe mbi kryetaren e saj, duke kërkuar llogaridhënie për vendimet dhe funksionimin e institucionit.
Deputetja ka bërë të ditur se Kosova do të vazhdojë të mbështesë mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelit dhe do të kundërshtojë, sipas saj, çdo padrejtësi përmes mjeteve ligjore dhe institucionale.
“Kërkojmë drejtësi për çlirimtarët! Sepse padrejtësia nuk bëhet drejtësi vetëm pse shqiptohet në Hagë”, ka shkruar ajo.
Burimi: insajderi.org










