Bedri Hamza ka paraqitur një dorëheqje të pakthyeshme nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Ai e ka bërë të ditur këtë vendim të mërkurën para anëtarëve të Kryesisë së partisë, duke krijuar kështu kushtet për një proces të ri zgjedhor brenda strukturës partiake.
Gjatë një konference për gazetarë, Hamza deklaroi se çdo udhëheqës duhet ta dijë jo vetëm momentin kur duhet të marrë përgjegjësi, por edhe kur ka ardhur koha për t’u tërhequr.
Ai nënvizoi se drejtimin e PDK-së e kishte pranuar për shkak të ndjenjës së përgjegjësisë ndaj partisë dhe jo nga ambicie personale politike. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe është fokusuar kryesisht në ruajtjen e unitetit brenda forcës politike.
“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po tërhiqem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Sa të kem jetë, do të mbetem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, u shpreh Hamza.
Ai gjithashtu bëri të ditur se kishte pritur që pas 16 shtatorit drejtimi i partisë t’u kthehej ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodheshin në Hagë.
Megjithatë, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u dënuan me gjithsej 81 vite burg nën akuzat për krime lufte.
Hamza theksoi se përpjekjet për arritjen e drejtësisë në lidhje me këtë proces do të vazhdojnë.
Burimi: shqiptarja.com










