Gazment Bardhi i kërkon SPAK-ut të hetojë pa vonesa koncesionin e Aeroportit të Vlorës. Duke ndarë një intervistë të biznesmenit Behgjet Pacolli, Bardhi thotë se emrat e përfituesve dhe përqindjet e aksioneve ishin diskutuar në zyrën e Belinda Ballukut përpara se të zhvillohej gara.
“Gara nuk ka qenë mekanizmi real për përzgjedhjen e fituesit. Përkundrazi, vendimmarrja për koncesionin dhe ndarja e interesave ekonomike janë diskutuar paraprakisht në zyrën e Belinda Ballukut, ndërsa procedura formale e garës ka shërbyer vetëm si fasadë”, shkruan Bardhi.
Sipas Bardhit, deklarimet e Pacollit ngrenë dyshime se procesi i dhënies së koncesionit është orientuar politikisht nga kryeministri Edi Rama dhe është administruar nga Belinda Balluku.
“Dëshmia e Pacollit ngre pikërisht dyshimin se koncesioni i Aeroportit të Vlorës është orientuar politikisht nga Edi Rama dhe administruar nga Belinda Balluku, e cila ka firmosur aktet përkatëse. Veçanërisht shqetësuese është pjesa e dëshmisë që lidhet me takimet në zyrën e Belinda Ballukut, ku, sipas Pacollit, diskutoheshin jo vetëm emrat e përfituesve të koncesionit, por edhe përqindjet e aksioneve që do t’i takonin secilit, përpara se procedura të zhvillohej formalisht”, shkruan Bardhi.
Bardhi thotë se, sipas informacionit që disponon, deklarimet e Pacollit janë administruar nga SPAK-u. Ai kërkon të bëhet e ditur se në çfarë faze ndodhet hetimi dhe nëse po verifikohet roli i të gjithë personave që morën pjesë në vendimmarrje, duke kërkuar hetim edhe për Belinda Ballukun dhe Edi Ramën.
Afera e Aeroportit të Vlorës: kërkohet hetim i plotë dhe përgjegjësi penale
Afera e koncesionit të Aeroportit të Vlorës duhet të hetohet pa vonesa, në mënyrë të plotë, të pavarur dhe me profesionalizëm maksimal. Pa ndikim politik, pa standarde të dyfishta dhe pa asnjë kompromis me përgjegjësit.
Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për një tjetër rast të dyshuar korrupsioni që ka rrënuar institucionet e shtetit shqiptar. Bëhet fjalë për shkelje të ligjit, të Kushtetutës dhe të detyrimeve që Shqipëria ka marrë përsipër në marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Evropian. Në këtë rast kemi të bëjmë edhe me një cenim të rëndë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në. Ky është një regres serioz në rrugën evropiane të vendit.
Dua të rikthej në vëmendje dëshminë publike të biznesmenit Behgjet Pacolli, të bërë disa muaj më parë. Sipas kësaj dëshmie, gara nuk ka qenë mekanizmi real për përzgjedhjen e fituesit. Përkundrazi, vendimmarrja për koncesionin dhe ndarja e interesave ekonomike janë diskutuar paraprakisht në zyrën e Belinda Ballukut, ndërsa procedura formale e garës ka shërbyer vetëm si fasadë.
Dëshmia e Pacollit ngre pikërisht dyshimin se koncesioni i Aeroportit të Vlorës është orientuar politikisht nga Edi Rama dhe administruar nga Belinda Balluku, e cila ka firmosur aktet përkatëse. Veçanërisht shqetësuese është pjesa e dëshmisë që lidhet me takimet në zyrën e Belinda Ballukut, ku, sipas Pacollit, diskutoheshin jo vetëm emrat e përfituesve të koncesionit, por edhe përqindjet e aksioneve që do t’i takonin secilit, përpara se procedura të zhvillohej formalisht.
Po aq serioze është edhe dëshmia mbi interesin për të kënaqur partnerin turk në këtë marrëveshje dhe pretendimin se largimi i tij i mëvonshëm do t’u hapte rrugë interesave të tjera private dhe duarve të korrupsionit të Belinda Ballukut në një pasuri strategjike publike. Në këtë rast kemi të bëjmë me një skemë të mirëfilltë të kapjes së një pasurie publike përmes vendimmarrjes politike dhe interesave private.
Dëshmia publike e Behgjet Pacollit përbën një element me rëndësi të veçantë për hetimin e SPAK. Ajo është bërë publike dhe, sipas informacionit të disponueshëm, është administruar edhe zyrtarisht nga organi i akuzës. Megjithatë, mungesa e transparencës mbi ecurinë e hetimit dhe zvarritja e tij kërkojnë një përgjigje institucionale.
SPAK duhet t’u japë përgjigje shqiptarëve:
- Në çfarë faze ndodhet hetimi për koncesionin e Aeroportit të Vlorës?
- A janë verifikuar plotësisht deklarimet e Behgjet Pacollit dhe dokumentacioni që lidhet me to?
- A po hetohet roli i të gjithë personave që kanë marrë pjesë në vendimmarrjen për këtë koncesion, përfshirë Belinda Ballukun dhe Edi Ramën?
- Kur do të dalin përgjegjësit përpara drejtësisë?
Pasuritë publike nuk janë pronë e kryeministrit, e ministrave apo e klientelës së tyre politike dhe ekonomike. Ato janë pasuri e qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të ketë integrim evropian me standarde evropiane vetëm në letër dhe me praktika klienteliste në administrimin e pasurisë publike. Nuk mund të ketë barazi para ligjit nëse pushteti politik mbetet i pandëshkuar.
Burimi: shqiptarja.com










