Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Fragment nga romani I huaji i Albert Camus

Fragment nga romani I huaji i Albert Camus
Foto: kultplus.com

Prifti më tha se kërkesa ime për falje mund të pranohej, por unë do ta mbaja me vete peshën e një krimi, prej të cilit duhej të çlirohesha. Sipas tij, drejtësia e njerëzve nuk ishte asgjë, ndërsa ajo e Zotit ishte gjithçka. E vura në dukje se më kishte dënuar drejtësia e njerëzve. Ai u përgjigj se ajo nuk e kishte larë mëkatin tim. I thashë se nuk e dija se çfarë është një mëkat. Më kishin mësuar të kuptoja se isha vetëm një fajtor. Isha fajtor dhe për këtë po paguaja; nuk mund të kërkonin asgjë tjetër nga unë. Në atë moment ai u ngrit sërish, dhe mendova se, nëse donte të lëvizte në atë qeli kaq të ngushtë, nuk do të kishte hapësirë. Duhej ose të ulej, ose të qëndronte në këmbë.

Biseda me priftin

I kisha sytë të fiksuar përdhe. Ai bëri një hap drejt meje dhe u ndal, sikur të mos guxonte të shkonte më tej. Vështronte qiellin nëpër hekurat e dritares.

“Gaboheni, biri im”, më tha ai. “Mund t’ju kërkojnë më shumë. Ndoshta do t’ju kërkojnë…”

“Çfarë mund të më kërkojnë?”

“Mund t’ju kërkojnë që të shihni.”

“Çfarë?”

Prifti vështroi përreth dhe u përgjigj papritur me një zë të lodhur: “Të gjithë këta gurë djersitin dhimbje, e di mirë. Unë gjithmonë i kam parë me ankth. Por, në thellësi të zemrës, e di mirë se më të mjerët nga ju kanë parë që nga errësira e tyre ka dalë një fytyrë e shenjtë. Kërkohet që ju të shihni pikërisht këtë fytyrë.”

Kujtimet e qelisë

U gjallërova pak. I thashë se prej muajsh po i shikoja ato mure të trasha. Nuk kishte asgjë dhe asnjë njeri që të mund ta njihja më mirë se ato mure. Ndoshta disa kohë më parë kisha kërkuar edhe unë të gjeja aty një fytyrë. Por ajo fytyrë kishte ngjyrën e diellit dhe flakën e dëshirës: ishte fytyra e Marisë. E kisha kërkuar më kot aty brenda. Tani gjithçka kishte marrë fund. Megjithatë, në asnjë rast nuk pashë të shfaqej ndonjë gjë nga ajo djersë që lëshonin gurët.

Nata e fundit

Sapo ai iku, rigjeta qetësinë time. Isha i dërrmuar dhe u hodha mbi dyshekun tim. Mendoj se më kishte zënë gjumi, sepse u zgjova dhe pashë yjet mbi kokë. Zhurmat e fshatit arrinin deri tek unë. Aromat e natës, të tokës dhe të kripës freskonin tëmthat e mi. Paqja e mrekullueshme e kësaj vere të përgjumur hynte tek unë si një vërshim i pandalshëm.

Në atë moment, që përkonte me fillimin e agimit të ditës së re, ulërinin sirenat. Ato më njoftonin nisjen për në një botë tjetër, për të cilën nuk isha më indiferent. Për herë të parë, prej shumë kohësh, mendova për mamanë. E kuptova përse, në fund të jetës, ajo kishte gjetur “një të fejuar”, përse kishte filluar të luante për të rifilluar edhe një herë nga e para. Edhe atje, rreth kësaj azili ku shuheshin jetë, mbrëmja ngjante me një pushim melankolik. Kaq pranë vdekjes, mamaja duhet të jetë ndjerë e lirë dhe e gatshme për të rijetuar gjithçka edhe një herë. Askush nuk kishte të drejtë ta qante. Dhe unë u ndjeva gati edhe unë për të jetuar përsëri. Sikur gjithë ai zemërim më kishte pastruar nga e keqja, më kishte zbrazur nga shpresa, dhe përpara kësaj nate të mbushur me shenja dhe yje po i hapesha për herë të parë butësisë indiferente të kësaj bote.

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha