Në dokumentet e publikuara nga Reporterë pa Kufij dhe shoqatat e gazetarëve, më 18 tetor u regjistruan disa episode dhune kundër punonjësve të medias. Gazetari i News24, Renaldo Salianji, pësoi sulm fizik, ndërsa fotoreporteri Hameraldi Agolli, bashkëpunëtor i Associated Press, u ndalua me forcë nga forcat e policisë. Në mbrëmjen e 19 tetorit, gazetari i News24, Osman Stafa, së bashku me punonjës të tjerë të medias, u penguan nga policia të ndiqnin dhe të filmonin shoqërimet e protestuesve në rrugicat pranë Rrugës së Dibrës në Tiranë. Gazetari i SYRI TV, Taulant Kopliku, deklaroi se një punonjës i policisë e kishte goditur në shpatull dhe i kishte marrë telefonin, i cili iu kthye me pamjet e fshira.
<►>
Gjithashtu, gazetarja Marsi Korreshi u godit në shpinë me një helmetë dhe u shty gjatë raportimit të drejtpërdrejtë për një zjarr pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3. Gazetari Elkier Bushkolaj u plagos në këmbë nga një predhë gome, ndërsa Juljan Hoxha dhe fotoreporteri Felix Bilani deklaruan se ishin sulmuar nga punonjësit e policisë.
Në listën e rasteve të dokumentuara figuron edhe gazetarja e Klan News, Glidona Daci, e cila, sipas Shoqatës së Gazetarëve të Shqipërisë, u godit me gurë në një incident që organizata ia atribuon forcave të policisë.
Agjencia Reuters njoftoi gjithashtu se dy nga gazetarët e saj u goditën nga fishekë gome gjatë përleshjeve në Tiranë më 17 tetor.
Një rast tjetër i rëndë ishte ai i Izmir Akullit, kryeredaktorit të portalit Dosja.al, i cili u transportua në spital pas dhunës fizike të ushtruar ndaj tij më 13 tetor, pranë Bankës së Shqipërisë. Sipas dëshmisë së publikuar prej tij, disa punonjës të policisë e goditën me grushte dhe shqelma ndërsa ai po filmonte ndërhyrjen e policisë ndaj një studenti.
RSF kërkon zbatimin e masave për sigurinë e gazetarëve
Sipas një deklarate të Rrjetit SafeJournalists të publikuar më 18 tetor, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kishte nisur shqyrtimin e pretendimeve për sjellje të pahijshme dhe shtatë punonjës të policisë ishin pezulluar. Megjithatë, nuk është bërë e qartë nëse këto masa lidhen drejtpërdrejt me rastet e dhunës ndaj gazetarëve.
Më 14 tetor, organizatat për lirinë e medias dhe të shoqërisë civile, mes tyre edhe RSF, kërkuan zbatimin e plotë të Udhëzuesit të Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve, të miratuar në maj 2025.
Organizatat kërkuan hetime të pavarura për rastet e dhunës dhe pengimit të raportimit, si dhe një seancë të posaçme dëgjimore në Parlamentin shqiptar. Sipas RSF-së, edhe pas këtij apeli janë raportuar incidente të tjera.
Shqipëria renditet në vendin e 83-të mes 180 vendeve dhe territoreve në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2026, të publikuar nga Reporterët pa Kufij.
Burimi: gazetashqiptare.al










