Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kronikë

Avokati i Popullit ngre alarmin për trajtimin e protestuesve të ndaluar nga policia

Avokati i Popullit ngre alarmin për trajtimin e protestuesve të ndaluar nga policia

Avokati i Popullit ka kryer një monitorim të protestës së së martës dhe ka identifikuar probleme të rënda në trajtimin e protestuesve të arrestuar në Tiranë. Këto përfshijnë akuzime për dhunë nga ana e policisë, mbipopullim në ambientet e ndalimit, mungesë të një hapësire të posaçme për të miturit, si dhe kufizime të pretenduara në kontaktin e të ndaluarve me familjarët dhe avokatët e tyre.

Këto gjetje paraprake u prezantuan publikisht të mërkurën nga Ahmet Prençi, komisioner dhe drejtues i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës pranë Avokatit të Popullit. Ato bazohen në inspektimet e kryera në Komisariatin e Policisë nr. 2, në Bllokun e Sigurisë dhe në Spitalin e Traumës.

Sipas institucionit të Avokatit të Popullit, gjatë monitorimit u regjistruan gjashtë ankesa për pretendime dhune, të gjitha nga persona që ndodheshin në Bllokun e Sigurisë.

Në Bllokun e Sigurisë u konstatuan 118 persona, ndërsa kapaciteti zyrtar i këtij ambienti është 67 persona. Si pasojë, në dhoma të projektuara për një person qëndronin tre deri në katër persona.

Bazuar në raportime, të paktën dy persona ishin të detyruar të flinin në dysheme.

Sipas Avokatit të Popullit, mbipopullimi është një problem që nuk mund të ndahet nga detyrimi i shtetit për të siguruar kushte dinjitoze për personat e privuar nga liria.

Institucioni i referohet standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila ka përcaktuar si referencë hapësirën minimale prej 3 metrash katrorë për person në qelitë me shumë persona. Gjithashtu, ai mbështetet në standardet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës lidhur me fjetjen, higjienën, furnizimin me ujë dhe kujdesin mjekësor.

Për këtë arsye, Avokati i Popullit i kërkon Ministrisë së Brendshme të ndërmarrë masa që Blloku i Sigurisë të funksionojë brenda kapacitetit të tij normal prej 67 personash, ndërsa personat e tjerë të vendosen në ambiente që përmbushin standardet e kërkuara.

Një nga gjetjet më shqetësuese ka të bëjë me trajtimin e të miturve.

Gjatë monitorimit, ekipet e Avokatit të Popullit kontaktuan me gjashtë të mitur që ndodheshin në Bllokun e Sigurisë.

Ata nuk qëndronin në një dhomë të veçantë të dedikuar për fëmijët dhe raportuan ankesa lidhur me kufizime në kontaktin me familjen dhe avokatin, si dhe mungesën e psikologut gjatë marrjes në pyetje.

Trajtimi i personave nën moshën 18 vjeç kërkon garanci të posaçme për shkak të statusit të tyre si të mitur. Prençi iu referua Konventës për të Drejtat e Fëmijës, e cila kërkon që çdo fëmijë i privuar nga liria të trajtohet në mënyrë njerëzore dhe me respekt për dinjitetin e tij.

Avokati i Popullit vuri në dukje probleme me raportet mjeko-ligjore në rastet e pretenduara për dhunë gjatë shoqërimit nga policia, duke i kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë të garantojë në çdo kohë praninë e mjekëve në ambientet e sigurisë.

Raporti evidenton rastin e një personi të arrestuar që ndodhej ende i shtruar në Spitalin e Traumës, i arrestuar në krevat me një plagë në sy, i cili pretendoi se ishte dhunuar gjatë arrestimit.

Prangosja e një personi të shtruar në spital është një tjetër shqetësim që, sipas Prençit, duhet të sqarohet nga autoritetet.

Në Spitalin e Traumës, gjatë monitorimit, ndodheshin gjashtë protestues, njëri prej të cilëve i mitur.

AP kërkon transparencë dhe zbatim ligji nga policia

Për verifikimin e përgjegjësive, Avokati i Popullit i ka kërkuar Policisë së Shtetit të ruajë menjëherë pamjet filmike të protestës, të komisariateve dhe të Bllokut të Sigurisë.

Institucioni kërkon gjithashtu që policia të vërë në dispozicion urdhrat, regjistrat dhe të dhënat që lidhen me bazën ligjore të shoqërimeve, kohëzgjatjen e tyre dhe identitetin e punonjësve të përfshirë.

Një tjetër kërkesë është identifikimi i detyrueshëm i çdo punonjësi dhe automjeti gjatë operacioneve policore.

Për gjashtë të miturit, Avokati i Popullit kërkon dokumentimin e garancive të ofruara dhe ndarjen e tyre nga të rriturit.

Institucioni i kërkon gjithashtu Ministrisë së Shëndetësisë të garantojë praninë e mjekëve në çdo kohë në ambientet e shoqërimit dhe që çdo dëmtim trupor të dokumentohet në mënyrë mjekësore.

Sipas Avokatit të Popullit, ky dokumentim është i nevojshëm edhe për të lehtësuar hetimin dhe përcaktimin e përgjegjësive në rastet kur konstatohet trajtim çnjerëzor ose degradues.

Avokati i Popullit thekson se do të vijojë monitorimin dhe, në rast se verifikohen përgjegjësi të punonjësve të policisë, do të kërkojë marrjen e masave ndaj tyre.

Në rastet ku konstatohen shkelje të ligjit dhe përgjegjësi penale, institucioni thotë se do t’i referojë ato në prokurori.

Ndërkohë, institucioni i Avokatit të Popullit u ka bërë thirrje qytetarëve që pretendojnë se u janë cenuar të drejtat gjatë protestës ose gjatë shoqërimit në polici të paraqesin ankesa individuale pranë institucionit, duke garantuar konfidencialitetin e tyre.

 

Burimi: www.reporter.al

Të fundit Të gjitha