Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kronikë

Policia e Tiranës në 7 ditë: 271 të arrestuar, 51 prej tyre me precedentë penalë

Policia e Tiranës në 7 ditë: 271 të arrestuar, 51 prej tyre me precedentë penalë

Policia e kryeqytetit ka ndërmarrë masa ndaj 74 personave pas tubimit të mbajtur një ditë më parë në Tiranë, duke arrestuar 33 prej tyre dhe duke nisur procedime penale për 41 të tjerë.

Njoftimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë bën me dije se personat e përfshirë dyshohet se gjatë tubimit kanë hedhur gurë dhe objekte të tjera të forta drejt efektivëve dhe mjeteve të policisë. Po ashtu, sipas të njëjtit burim, ata dyshohet se kanë shkaktuar dëme në koshat e mbeturinave dhe në tabelat e sinjalistikës rrugore, duke përdorur mjete të forta dhe zjarr.

Në mesin e 33 të arrestuarve ndodhen edhe gjashtë të mitur, të moshës 15 dhe 17 vjeç, ndërsa pjesa tjetër e të arrestuarve janë persona nga 18 deri në 42 vjeç.

Për shkak të dhunës gjatë protestës, në të cilën sipas Policisë morën pjesë edhe persona të maskuar, u dëmtuan shtatë punonjës të policisë.

271 të arrestuar gjatë shtatë ditëve të protestave

Policia bën të ditur se gjatë shtatë ditëve të protestave të dhunshme në Tiranë janë arrestuar gjithsej 271 persona.

Sipas autoriteteve, 51 prej të arrestuarve kanë precedentë penalë për vepra të ndryshme, duke përfshirë vrasjen, plagosjen, mbajtjen e armëve pa leje, prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, prostitucionin, vjedhjen, mashtrimin dhe falsifikimin e dokumenteve.

Lista e veprave penale të përmendura nga Policia përfshin gjithashtu shtrëngimin me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, mbajtjen pa leje të armëve të ftohta, pjesëmarrjen në grumbullime të paligjshme, goditjen, kundërshtimin ose mosbindjen ndaj punonjësve të Policisë, si dhe vepra në fushën e mjedisit dhe të qarkullimit rrugor.

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha