Lidhjet midis një organizate kriminale belge dhe një bande braziliane të kokainës kanë qenë në qendër të një gjyqi të rëndësishëm në Bruksel, ku janë ngritur dyshime për bashkëpunim në trafikun e drogës mes grupeve kriminale evropiane dhe karteleve të Amerikës Latine, shkruan “The Guardian”.
Në orët e para të mëngjesit të 7 shtatorit, një autokolonë e policisë së armatosur rëndë përshkoi rrugët e qeta të qendrës së Brukselit, në drejtim të lagjes Haren, në periferi të verilindjes së qytetit. Efektivët u drejtuan për në adresën 22 Avenue du Bourget, një kompleks i fortifikuar, në formën e një bunkeri ushtarak, që dikur shërbente si selia e NATO-s.
Kompleksi modernist, me arkitekturën e tij të rreptë dhe funksionale, u ndërtua me shpejtësi në vitin 1967. Sot, ai strehon sallën e gjyqit Justitia, ku zhvillohen gjyqet federale në Belgjikë. Pikërisht aty, në vitin 2022, u gjykuan autorët dhe bashkëpunëtorët e sulmeve terroriste të Parisit të vitit 2015 dhe të Brukselit të vitit 2016.
Muajin e kaluar, efektivë të armatosur me pushkë sulmi patrullonin korridoret e gjera të ndërtesës, duke garantuar sigurinë e pjesëmarrësve në gjyqin më të bujshëm të kësaj dekade: çështjen Bressers-Carvalho.
Për një muaj, gjyqtarët dhe një numër i madh avokatësh ndanë sallën kryesore të gjyqit me gazetarët dhe publikun, të vendosur në njërën anë të një ndarjeje të madhe prej xhami të blinduar. Në anën tjetër ndodheshin 31 të pandehurit, të rrethuar nga efektivë me fytyra të mbuluara, për të mos u ekspozuar ndaj hakmarrjeve të mundshme. Një skenë e tillë ngjante më shumë me realitetin e vendeve të përfshira nga aktiviteti i mafieve.
Gjatë seancave të gjata të zhvilluara përgjatë muajit, dy prej të pandehurve spikatën mes të tjerëve.
I pari ishte Flor Bressers, një belg 40-vjeçar, i lindur në Lommel, një qytet me 35 mijë banorë në provincën e Limburgut. Bressers ka një profil të pazakontë për botën kriminale. I diplomuar në kriminologji në Universitetin e Lirë të Brukselit (VUB), ai njihej nga bashkëpunëtorët e tij me nofkat “Profesori” ose “Akademiku”.
Megjithatë, nofka me të cilën njihet më shumë bie ndesh me imazhin e një njeriu të kulturuar dhe të përmbajtur: Bressers njihet kryesisht si “Prerësi i gishtave”.
Ai u arrestua në vitin 2022, teksa ndodhej me bashkëshorten në një degustim vere, në një apartament luksoz në katin e sipërm të hotelit Renaissance Zurich Tower, në Zyrih. Bressers përballet me akuza për rrëmbim, heqje të paligjshme të lirisë, zhvatje me përdorimin e armëve të zjarrit dhe drejtim të një organizate kriminale.
Figura tjetër kryesore që dyshohet se bënte pjesë në organizatë është Sérgio Roberto de Carvalho, një brazilian 68-vjeçar. Në një operacion të përbashkët të Interpolit, Europolit, Policisë Federale braziliane dhe Agjencisë Amerikane Kundër Drogave (DEA), Carvalho u arrestua më 21 qershor 2022, në një hotel luksoz me pamje nga Danubi, në kryeqytetin hungarez, Budapest.
Me bazë në shtetin brazilian Mato Grosso do Sul, në rajonin kufitar mes Brazilit, Argjentinës dhe Paraguait, një prej zonave të kontinentit ku është përqendruar krimi i organizuar, Carvalho u bë i njohur në vendin e tij me nofkën “Majori”. Nofka lidhej me gradën që kishte mbajtur kur shërbente si oficer i policisë ushtarake, një periudhë e jetës së tij në të cilën, sipas akuzave, ndërthuri korrupsionin me veprimtarinë kriminale.
Në Evropë, nofka e tij ishte edhe më domethënëse: “Eskobari brazilian”. Së bashku, “Prerësi i gishtave” dhe “Eskobari brazilian” janë dy të pandehurit kryesorë në një gjyq në Belgjikë, i zhvilluar nën masa të rrepta sigurie, ku në qendër të vëmendjes është vendosur një rrjet ndërkombëtar i trafikut të kokainës mes Amerikës Latine dhe Evropës.
Bressers dhe Carvalho dyshohet se kanë qenë në krye të një organizate që akuzohet për transportimin e deri në 45 tonëve kokainë drejt Evropës.
Sipas prokurorisë, ata drejtonin një strukturë kriminale shumëkombëshe, që lëvizte qindra miliona dollarë përmes kompanive guaskë. Njëra prej tyre, kompania belge Kriva Rochem, e specializuar në trajtimin e ujit në Antverp, i ka dhënë çështjes edhe emrin alternativ: çështja Kriva Rochem.
Paratë dyshohet se pastroheshin përmes kriptomonedhave, tregjeve financiare dhe investimeve në pasuri të paluajtshme. Ato financonin logjistikën komplekse të transportit të kokainës, të prodhuar në Peru dhe Bolivi, përgjatë rrugëve të paligjshme e të vështira në Brazil, përpara se droga të kalonte Oqeanin Atlantik dhe të shpërndahej në një numër të panjohur vendesh në Evropë dhe më gjerë.
Që prej vitit 2021, Bressers ishte në listën e personave më të kërkuar nga Europoli. Sipas njoftimit të agjencisë, ai kërkohej për rrëmbim, privim të paligjshëm të lirisë, zhvatje me armë zjarri dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
Një çështje e mëparshme, e vitit 2010, përfshinte pretendimin se ai kishte urdhëruar një akt hakmarrjeje, gjatë të cilit viktimës i ishte prerë një gisht me gërshërë krasitjeje. Bressers u shpall përfundimisht i pafajshëm në vitin 2015, për mungesë provash. Megjithatë, pikërisht ky rast dyshohet se i dha nofkën “Prerësi i gishtave”.
Në vitin 2020, pesë vjet më vonë, ai u dënua në lidhje me një tjetër akt hakmarrjeje. Bëhej fjalë për rrëmbimin e një trafikanti holandez droge, i cili u rrah, u kërcënua me vdekje dhe u plagos me brisk, pasi u fajësua për zhdukjen e një ngarkese kokaine. Pas këtij rasti, Bressers u arratis dhe qëndroi në kërkim për dy vjet.
Emri i tij u shfaq gjithashtu si i dyshuar në të paktën një tjetër çështje të dhunshme, këtë herë në Guajanë, ku një tregtar orizi u vra pasi një ngarkesë e sekuestruar në zotërimin e tij përmbante kokainë. Vrasja dyshohet se u krye për të mbuluar gjurmët dhe për të penguar shkatërrimin e rrjetit kriminal të bandës. Edhe kjo çështje nuk përfundoi kurrë në gjykatë.
Sipas dokumenteve të gjykatave braziliane, ai drejtonte grupin që siguronte dhjetëra tonë kokainë të prodhuar në Peru dhe Bolivi dhe e transportonte atë përmes pjesës qendrore-perëndimore të Brazilit drejt porteve të Paranaguás dhe Natalit, nga ku droga nisej me anije drejt Evropës.
I lindur në vitin 1958 në Ibiporã, në shtetin Paraná, në jug të Brazilit, Carvalho u rrit në Mato Grosso do Sul dhe u përfshi në veprimtari kriminale gjatë kohës kur shërbente si oficer policie në këtë shtet.
Në vitin 1998, ai u dënua për herë të parë me 15 vjet burg për trafik droge. Megjithatë, nga policia u përjashtua vetëm në vitin 2010.
Në vend që të vazhdonte të drejtonte operacionet e tij nga Amerika Latine, “Eskobari brazilian” u zhvendos në Evropë, fillimisht duke u fshehur në Portugali dhe më pas në Spanjë.
Sipas policisë spanjolle, ai u vendos në një vilë me vlerë 2 milionë euro në Marbella, në Costa del Sol, duke përdorur identitetin e Paul Wouter, një shtetas i pasur nga Surinami.
Nga kjo bazë në Spanjë, një qendër e njohur e trafikut ndërkombëtar të kokainës, prokurorët thonë se Carvalho koordinoi, gjatë periudhës 2017–2020, një rrjet të organizuar kriminal që shtrihej në Portugali dhe Spanjë.
Rrjeti dyshohet se ishte i specializuar në kontrabandimin e drogës përmes porteve si Setúbal, pran
Burimi: top-channel.tv









