Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kronikë

Plumbat e gomës, Fatjon Softa shpjegon dëmet e tyre

Plumbat e gomës, Fatjon Softa shpjegon dëmet e tyre

Eksperti i sigurisë Fatjon Softa ka sqaruar rregullat që policia duhet të zbatojë gjatë përdorimit të plumbave të gomës, duke nënvizuar se nuk duhet të qëllohet në drejtim të kokës ose të pjesëve të sipërme të trupit. Sipas tij, përdorimi në distanca të afërta mund të shkaktojë pasoja të rënda, përfshirë humbjen e shikimit dhe dëmtimin e kockave.

Deklaratat e Softa në emisionin “Review”

Këto deklarata Softa i dha të dielën, në emisionin “Review” me Greta Topjanën në Euronews Albania, ku diskutoi për përdorimin e municioneve të gomës nga policia, në një moment kur vëmendja është përqendruar te rasti i 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili mbeti i plagosur në sy gjatë protestës.

Softa theksoi se këto municione duhet të përdoren vetëm në rrethana të caktuara dhe në përputhje me protokollet përkatëse.

“Ato përdoren vetëm në rastet kur mjetet e tjera të neutralizimit, kur rrezikohet jeta e punonjësve të policisë, nuk kanë dhënë efekt”, u shpreh eksperti i sigurisë.

Sipas tij, plumbat e gomës duhet të përdoren në një distancë të përcaktuar, jo më pak se 20 metra, ndërsa drejtimi i qitjes duhet të jetë nga beli e poshtë.

“Duhet të goditet nga beli dhe poshtë, pra në gjymtyrët e poshtme. Jo lart! Jo, absolutisht lart! Është e ndaluar, sepse ka pasoja dhe në veçanti kur ajo përdoret në distanca të afërta”, deklaroi Softa.

Ai paralajmëroi se, pavarësisht se bëhet fjalë për municion me përbërje gome, forca e goditjes mund të shkaktojë dëmtime të rënda fizike.

“Vërtet themi që përbërja nuk është plumb, por është elementi gomë, por forca kinetike e saj kryen të njëjtat efekte”, tha ai.

Rreziku i qitjes në kokë dhe sy

Duke iu referuar rastit të të riut të plagosur në sy gjatë protestës, Softa theksoi se qitja në drejtim të kokës dhe syve mund të ketë pasoja serioze.

“Në qoftë se në rastet konkrete përdoret ndaj trupit, ndaj kokës, në drejtim të syve etj., ajo krijon pasoja, si dhe rasti për të cilin është diskutuar dhe po diskutohet për një djalë të ri, i cili ka marrë goditjen në sy dhe është në luftë për të shpëtuar syrin dhe shikimin”, u shpreh eksperti.

Softa nënvizoi gjithashtu se përdorimi i këtyre municioneve në turmë paraqet rrezik dhe duhet të monitorohet, ndërsa punonjësit e policisë mbajnë përgjegjësi në rast të shkeljes së protokolleve.

“Qitja e tyre në turmë, edhe pse mund të ketë trajnime, është e rrezikshme dhe ajo do të jetë e monitoruar. Personi mban përgjegjësi ligjore për mosrespektim të protokollit të përdorimit të tyre”, deklaroi ai.

Eksperti i sigurisë theksoi se pasojat e përdorimit të papërshtatshëm mund të jenë edhe fatale, në varësi të distancës dhe pjesës së trupit ku bie goditja.

“Efekti i saj është edhe vdekjeprurës, varet ku godet dhe në ç’formë godet. Mund të japë pasoja të rënda, duke filluar nga humbja e shikimit deri te goditjet në kokë. Forca e tyre kinetike është aq e madhe saqë edhe kockat mund t’i dëmtojë”, tha Softa.

Në përfundim, ai nënvizoi se çdo rast përdorimi të plumbave të gomës që sjell pasoja duhet të hetohet nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe prokurorinë.

“Të gjitha rastet e përdorimit të saj kërkojnë hetim”, u shpreh Softa, duke shtuar se, në varësi të rrethanave dhe shkeljeve të konstatuara, përgjegjësia mund të jetë edhe penale, deri në dënim me burgim.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha