Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kronikë

Grupi i Zjarrit, nga protestat te dosjet në flakë

Grupi i Zjarrit, nga protestat te dosjet në flakë

Një protestë që filloi si shprehje e pakënaqësisë politike, përfundoi me flakë, përplasje dhe dëme në institucionet që janë themeli i funksionimit të shtetit.

Ministria e Drejtësisë, Komisariati i Policisë Nr. 3, Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Apelit. Katër institucione të drejtësisë të prekura nga një valë dhune që tashmë ngre pyetje përtej bilancit të dëmeve materiale. Zjarri i 17 tetorit në ambientet e Gjykatës së Lartë dëmtoi edhe dokumentacion gjyqësor, duke detyruar institucionin të shtyjë seancat, me përjashtim të çështjeve urgjente, deri në verifikimin e dëmeve dhe gjendjes së dosjeve.

Por, ndërkohë që institucionet përpiqen të rikthejnë normalitetin, një element tjetër i kësaj historie kërkon vëmendje. Kush janë personat e arrestuar pas protestës së dhunshme dhe çfarë tregon e kaluara e tyre?

Në listën zyrtare të përcjellë për mediat, Policia ka identifikuar dhjetëra persona me referime për vepra të ndryshme penale. Mes tyre ka emra të lidhur me çështje narkotikësh, vjedhjesh, mashtrimi, falsifikimi dokumentesh, dhune, kundërshtimi të punonjësve të policisë, madje edhe vrasje. Në listë përmenden edhe persona të dënuar më parë jashtë vendit, përfshirë për trafikim të lëndëve narkotike dhe trafikim të qenieve njerëzore. Një prej emrave shoqërohet me një dënim të mëparshëm prej 23 vjetësh burgim për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.

 

Edi Rama, kryeministër

Të gjithë personat që do të shihni janë tanimë subjekt dhe objekt i punës së Policisë së Shtetit dhe drejtësisë shqiptare. Janë të gjithë persona të ndaluar nga Policia e Shtetit në protestat e dhunshme dhe nuk janë studentë. Janë diçka tjetër. Nuk i përkasin dhe nuk kanë asnjë lidhje me të gjithë ata studentë, të cilët nuk i janë bashkuar kësaj dallge terrori urban, por që qëndrojnë në një front proteste. Protestë paqësore të lidhur me jetën e tyre të përditshme dhe natyrisht përmes Instagramit dhe TikTokut janë bërë pjesë e mbështesin këtë protestë sepse fatkeqësisht shikojnë tek dhuna një mundësi për të ulur në gjunjë qeverinë e zgjedhur të Shqipërisë, për të ulur në gjunjë institucionet dhe natyrisht në fund fare për të më imponuar mua një shkelje të pa tolerueshme të kontratës me shqiptarët.

 

Por çfarë përfaqësojnë realisht këta emra në protestën e fundit? A janë të gjithë të arrestuar për të njëjtat akte? Sa prej tyre dyshohen konkretisht për sulme ndaj policisë, shkatërrim prone apo zjarrvënie?

Jo për të barazuar çdo protestues me një person me precedent penal, as për të shpallur fajtorë njerëz përpara vendimit të gjykatës, por për të kuptuar se kush mori pjesë në dhunë, çfarë roli dyshohet se pati dhe nëse pas episodeve të njëpasnjëshme qëndrojnë akte të veçuara apo një dinamikë më e gjerë që duhet hetuar.

Sepse e drejta për të protestuar është themelore. Por ajo nuk mund të përdoret si mburojë për dhunën. Dhe kur flakët arrijnë deri te institucionet e drejtësisë, pyetja nuk është më vetëm se kush protestoi, por edhe kush i kreu aktet e dhunës, kush duhet të mbajë përgjegjësi dhe nëse shteti është në gjendje t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve me prova, transparencë dhe ligj.

Kush janë personat në listën e Policisë, çfarë dihet për të kaluarën e tyre dhe çfarë mbetet ende për t’u provuar për dhunën që goditi institucionet?

 

KUSH ËSHTË “GRUPI I ZJARRIT”?

Gjatë ditëve të protestës së dhunshme në rrugët e Tiranës, Policia ndaloi e arrestoi dhjetëra persona. Prej tyre shumë pak mbetën pas hekurave, pasi pjesa më e madhe u liruan nga Gjykata. Por mes emrave të arrestuar, disa bien në sy dhe janë veçuar edhe nga Policia. Përveç akteve të dhunës gjatë protestës, ata kanë edhe një të shkruar kriminale, të akuzuar, proceduar, madje edhe të dënuar për vepra të ndryshme penale, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Policia veçon në një listë rreth 50 persona, që tashmë konsiderohen edhe si “grupi i zjarrit”. E ndoshta e shkuara e tyre, problemet që ata kanë pasur me drejtësinë, duket se i ka “motivuar” edhe më shumë për të sulmuar forcat e Policisë por edhe institucionet, si Gjykatat ashtu edhe Komisariatin.

Lista është e gjatë, por disa veçojnë nga të tjerët, për shkak të krimeve të rënda për të cilat janë përballur me drejtësinë në të shkuarën.

I tillë është Arben Lleshaj, 52 vjeç, një ish-i dënuar me 23 vjet burg për vrasje, i cili e kishte fituar lirinë më 14 shkurt të vitit 2022. Por edhe pas lirimit ai kishte pasur edhe disa përballje të tjera me Policinë, për konflikte të ndryshme gjatë tri viteve të fundit. Madje ishte arrestuar edhe pas protestës së dhunshme të Parlamenti në korrik të vitit 2026.

Apo edhe Zef Mëhilli, 30 vjeç, i cili sipas Policisë së Tiranës ka qënë i dënuar për vjedhjë në Britaninë e Madhe. Madje edhe nga një shkrim i mediave Britanike, rezulton se ky person është arrestuar bashkë me një shqiptar tjetër në dhjetor të vitit 2018 atje, pasi kishin hyrë për të vjedhur në një banesë. Ata u arrestuan pranë Park Avenue, Bushey, ndërsa kishin me vete sende të vjedhura. Gruaja, e cila nuk ndodhej në shtëpi në atë moment, njoftoi policinë pasi pa persona të huaj në banesën e saj përmes një kamere të brendshme të lidhur me telefonin e saj celular.

Përveç kësaj ngjarjeje, Mehilli akuzohej edhe për një vjedhje tjetër në një shtëpi në Tudor Drive, Watford, më 29 shtator të po atij viti, si dhe për dy raste të sulmit ndaj një oficeri policie gjatë arrestimit të tij. Mehilli ishte gjithashtu në kërkim në lidhje me një vjedhje të ndodhur në Chigwell më 31 tetor 2018.

Mes personave të arrestuar pas protestës së dhunshme në Tiranë është edhe Ilmar Gugashi, i identifikuar në raportimet mediatike si pronar i hotelit, pranë Gjykatës së Lartë, ku shfrytëzoheshin për prostitucion vajza nga Amerika Latine. Sipas të dhënave të publikuara, hetimi për këtë rrjet zbuloi transferta financiare drejt Kolumbisë dhe përfitime të dyshuara që arrinin rreth 1 milion euro në nëntë muaj. Arrestimi i tij për këtë vepër të rëndë penale u realizua në tetor të vitit 2025, por nuk dihet se në çfarë rrethanash ai ka fituar lirinë në më pak se një vit.

Tre prej tyre rezultojnë që të jenë proceduar e ndonjë rast edhe dënuar në vende të Bashkimit Europian dhe janë kthyer si deportiv, konkretisht nga Greqia, Gjermania dhe Franca.

Ndërsa 21 të tjerë, rezulton të jenë me precedentë penalë në fushën e narkotikëve e në disa raste shoqëruar edhe me vepra të tjera penale. Por, mes tyre, ashtu siç theksoi edhe kryeministri Edi Rama, ka edhe persona të financuar nga Irani.

Sigurisht, në të ashtuquajturin “grupi i zjarrit”, ka edhe persona pa precedentë të mëparshëm penalë, por duket se kryesisht këta që janë përballur më parë me ligjin, duket se po shfrytëzojnë momentin që “faturën” për heqjen e lirisë në të shkuarën, sot t’ia presin efektivëve të Policisë së Shtetit, Komisariateve dhe Gjykatave.

 

PROTESTA NË FLAKË, DREJTËSIA NË SHËNJESTËR

Kur flakët arrijnë deri te dosjet e gjykatës, dhuna nuk është më vetëm në rrugë.

Ajo prek vetë institucionet që duhet të garantojnë zbatimin e ligjit.

Në Tiranë, protesta që nisi me përplasje në rrugë po lë pas godina të dëmtuara, institucione të sulmuara dhe pasoja që tashmë kanë prekur edhe funksionimin e drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë u sulmua që në ditën e parë, më pas shënjestër u bënë edhe struktura të policisë, ndërsa zjarri i 17 tetorit shkaktoi dëme në ambientet e Gjykatës së Lartë, përfshirë dosje gjyqësore. Seancat, me përjashtim të çështjeve urgjente, janë shtyrë.

Por kush po e çon protestën drejt kësaj pike? Ku mbaron pakënaqësia politike dhe ku nis dhuna e organizuar? A kemi të bëjmë me akte të veçuara, apo ka prova për një përshkallëzim të koordinuar kundër institucioneve? Dhe, ndërsa kërkohet përgjegjësi për autorët, si do të garantohet që reagimi i shtetit të mbetet brenda kufijve të ligjit?

Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje, në një moment kur pasojat e protestës nuk maten më vetëm me përplasjet në rrugë, por edhe me dëmin që mund t’i shkaktohet funksionimit të institucioneve dhe besimit të qytetarëve te drejtësia.

Tirana po përjeton disa ditë që mund të shënojnë një pikë kthese në mënyrën si Shqipëria përballet me protestën, dhunën dhe autoritetin e shtetit.

Ajo që nisi si një protestë studentore, e shoqëruar me përplasje të forta me policinë, po shtrihet tashmë drejt institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë. Pas sulmit ndaj Komisariatit nr. 3, në shënjestër është vënë edhe Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm. Dy institucione të ndryshme, por me një pyetje e përbashkët: A po kalon dhuna nga përplasja në rrugë drejt sfidimit të drejtpërdrejtë të institucioneve që garantojnë rendin dhe drejtësinë?

Për banorët e vjetër të zonës së rrugës “Mine Peza”, fjala “burg” nuk është një referencë e largët. Për dekada, ajo ka qenë një pikë orientimi në jetën e përditshme të kësaj pjese të Tiranës. Sot, sulmi ndaj komisariatit, pranë zonës së burgut dhe paraburgimit, ngre pikëpyetje që shkojnë përtej dëmeve materiale. Cilat ishin objektivat e sulmit, kush mori pjesë dhe a ka prova se synimi ishte më i gjerë se përballja me policinë?

 

Skënder Hita, drejtor i Përgjithshëm i Policisë

Policia e Shtetit po përballet me akte dhune gjatë tubimit, ku persona të maskuar dhe të dhunshëm kanë sulmuar për orë të gjatë punonjësit e Policisë dhe institucionet publike, si dhe kanë dëmtuar pronën publike dhe

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha