Egnatia u mposht 2-1 nga Dinamo në ndeshjen e javës së tetë të Superiores. Pas takimit të luajtur në “Elbasan Arena”, trajneri i ekipit të Rrogozhinës, Nevil Dede, bisedoi me mediat dhe shpjegoi arsyet e disfatës.
Nevil Dede komenton humbjen
“Kur nuk e arrin rezultatin për të cilin punon dhe shpreson, është e natyrshme të ndihesh i mërzitur. Lojtarët dhanë gjithçka. Më shqetëson mungesa e përqendrimit, e cila po na shfaqet në çdo ndeshje. Gjithçka po shkonte sipas planit, deri në momentin kur pësuam dy gola në zonën qendrore”, deklaroi Dede.
Ai vlerësoi gjithashtu kundërshtarin, duke theksuar se Dinamo i shfrytëzoi më mirë rastet, ndërsa Egnatia nuk u tregua mjaftueshëm pragmatiste. “Duhet t’i japim meritat Dinamos. Ne humbim përqendrimin në momente të caktuara dhe pastaj bëhemi konfuzë. Nuk arritëm t’i furnizonim as Montenegron, as Adjessan. Dinamo krijoi shumë dendësi dhe ne duhej të luanim më vertikalisht, duke e aktivizuar Jagon. Nuk përdorëm pasime diagonale të shkurtra apo të mesme, gjë që i dha komoditet kundërshtarit. Ata morën maksimumin, ndërsa ne jo. Ky ishte ndryshimi në fushë”, tha trajneri.
I pyetur për ndikimin e formës së Dinamos në shpërqendrimin e ekipit dhe për hapësirat e lëna në krah, Dede u përgjigj: “Mund të pranosh çdo gjë, por kishim tre lojtarë të fortë në krahun e djathtë. Nuk ishte logjike që të na çanin në atë mënyrë. Ju patë disa momente kur Duka, me shumë dëshirë, dukej sikur do të dilte si mbrojtës. E përgëzoj, është djalë i ri.”
Zëvendësimet dhe përqendrimi
Dede pranoi se krahut të majtë mund t’i kishte ardhur koha për një zëvendësim më të hershëm, por shpjegoi se kishte kryer tashmë katër ndërrime dhe nuk deshi të merrte më shumë rrezik. “Sa i përket dendësisë, mënyra si shënuam golin e parë dhe mënyra si erdhi i dyti, që nuk ishte i vlefshëm, treguan se me numra ishim në rregull, por jo me hapësirat. Gjithsesi, djemtë dhanë maksimumin dhe kjo është e dukshme.”
“Kundër një ekipi si Dinamo, nëse humbet përqendrimin, e humbet ndeshjen. Ndonjëherë mendojmë se e kemi arritur objektivin. Kjo nuk është fundi i botës, sepse kampionati është i gjatë. Nuk po e them për të justifikuar ekipin për ndeshjen e sotme, por diferencat janë shumë të vogla”, përfundoi Dede.
Burimi: www.albeu.com










