Numri i personave që kanë kërkuar asistencë mjekësore për shkak të dëmtimeve të marra gjatë protestave në Tiranë që nga data 13 tetor ka arritur në 310. Sipas të dhënave të përditësuara nga autoritetet shëndetësore, deri në orën 21:00 të së hënës mbrëma, mes të lënduarve përfshihen 191 punonjës të policisë, 88 protestues dhe 31 kalimtarë.
Të hënën, katër kalimtarë janë paraqitur në Spitalin Universitar të Traumës për të marrë ndihmë mjekësore. Një prej tyre, një përfaqësues i mediave ndërkombëtare, është larguar nga spitali pas trajtimit, në gjendje jashtë rrezikut për jetën.
Në këtë spital ndodhen aktualisht dy kalimtarë, të cilët po i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme. Një person tjetër i lënduar gjatë protestës është larguar pasi ka marrë trajtimin mjekësor.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur tre persona për ndihmë mjekësore: një efektiv policie, një protestues i mitur dhe një përfaqësues i medias.
Sipas informacionit zyrtar, të tre personat janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme.
Bilanci i të lënduarve përfshin rastet e regjistruara që nga 13 tetori, gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet.
Burimi: gazetadita.al










