Një sipërfaqe prej rreth 40 ari tokë publike në zonën industriale të Shirokës në Suharekë dyshohet se po përdoret në mënyrë të paligjshme nga kompania “Hazrolli”, e cila është në pronësi të vëllezërve Afrim dhe Burim Hazrolli, pa asnjë bazë ligjore dhe pa leje zyrtare nga komuna.
Hapësira në fjalë, e cila është e rrethuar dhe plotësisht e asfaltuar për t’iu përshtatur nevojave tregtare të biznesit privat, sipas dokumenteve zyrtare që ka siguruar Gazeta Insajderi, nuk i takon kompanisë, por është pronë e paluajtshme e Komunës së Suharekës.
Parcela prej afër 40 ari rezulton në pronësi të Komunës së Suharekës
Ndërsa në terren hapësira shfrytëzohet nga kompania private, të dhënat e sistemit kadastral tregojnë se ajo i përket Komunës.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Insajderi, parcela me ID të njësisë kadastrale P-72116046-02785-80 ka një sipërfaqe totale prej 6,197.4 m². Në fletën poseduese, te të dhënat tekstuale, statusi i parcelës prej 40 ari është i regjistruar në emër të Komunës së Suharekës.
Pavarësisht këtij statusi kadastral, një pjesë e madhe e kësaj parcele është rrethuar dhe asfaltuar, duke u kthyer në funksion të plotë të kompanisë “Hazrolli”.
Kryetari Bali Muharremaj ishte njoftuar për kërkesat për lirimin e pronës që në vitin 2021
Dokumentet zyrtare vërtetojnë se çështja e uzurpimit dhe shfrytëzimit të pronës publike në këtë zonë është e njohur për udhëheqjen e Komunës së Suharekës.
Sipas një shkrese zyrtare të siguruar nga gazeta, e datës 14 maj 2021, vetë Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, kishte pranuar një kërkesë nga një qytetar i asaj zone, i cili kërkonte zyrtarisht “lirimin e pronës komunale”.
Përmes këtij akti përcjellës, kryetari Muharremaj ia kishte përcjellë lëndën Drejtorit të Drejtorisë për Shërbime Pronësore Juridike dhe Kadastër, Emrush Bytyqi, për “shqyrtim dhe vazhdim të procedurës”.
Megjithëse kjo shkresë mban datën e para tre viteve, hapësira publike vazhdon të jetë e rrethuar dhe e shfrytëzuar nga biznesi privat, duke ngritur dyshime se vendimet zyrtare për lirimin e pronës kanë mbetur vetëm në letër.
Edhe Insajderi kishte tentuar të marrë një përgjigje nga Komuna e Suharekës për uzurpimin e pronës, por nuk kanë kthyer përgjigje.
Në tokën e uzurpuar kompania ka ndërtuar edhe cisternë gazi
Përveç rrethimit dhe asfaltimit të sipërfaqes publike, pamjet satelitore dëshmojnë një tjetër ndërhyrje brenda kësaj parcele komunale. Sipas dëshmive vizuale, kompania ka ndërtuar me material të fortë një depo të veçantë, e cila shfrytëzohet për vendosjen e një cisterne gazi për nevojat e veprimtarisë së saj biznesore.
Raportet e afërsisë me Kryetarin dhe heshtja e institucioneve
Familja Hazrolli njihet në Suharekë për veprimtarinë e saj ekonomike përmes kompanisë “Hazrolli Group”, e cila merret me prodhimin dhe eksportin e dyerve e dritareve.
Në aktivitete të ndryshme të kompanisë shihet i pranishëm edhe kryetari i Suharekës Bali Muharremaj, gjë që ngre dyshime për raporte të ngushta shoqërore ndërmjet biznesmenit Burim Hazrolli dhe kryetarit Muharremaj.
Për t’i dhënë përgjigje këtij skandali të mundshëm, Gazeta Insajderi i ka dërguar pyetje zyrtare edhe drejtuesve të kompanisë “Hazrolli”, por nuk kanë dashur të përgjigjen./ Gazeta Insajderi/
Burimi: insajderi.org










