Inspektorati Qendror i Punës ka vendosur pezullimin e përkohshëm të punimeve në ndërtesën që është në pronësi të Dritëro Shaqirit, i cili është vëllai i Nëntor Shaqirit, këshilltar i kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni. Sipas procesverbalit të inspektimit të datës 16 shtator 2026, në objektin që po ndërtohet në rrugën “Gjinollët” në Gjilan janë vërejtur mungesa të masave elementare të sigurisë, duke përfshirë mungesën e parmakëve mbrojtës në shkallë dhe në hapësirat e tjera të ndërtesës.
Gazeta Insjaderi
Sipas procesverbalit të inspektimit të datës 16 shtator 2026 dhe vendimit përkatës që Insajderi i ka siguruar përmes kërkesës për qasje në Dokumente Publike, Inspektorati Qendror i Punës ka vendosur shiritat e bllokimit dhe ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të punimeve në objektin gjysmë të përfunduar.
Gjatë kontrolleve të përsëritura në terren, inspektorët kanë konstatuar se në këtë vendpunishte mungonin masat elementare të sigurisë: Rreziku nga rënia nga lartësia – Në shkallët e objektit dhe hapësirat e tjera nuk ishte vendosur asnjë parmak mbrojtës apo rrethojë. Dhe, shkelja e ligjit për sigurinë.
Për këtë arsye, trupa inspektuese ka urdhëruar ndërprerjen e menjëhershme të çdo veprimtarie deri në eliminimin e të gjitha rreziqeve.
Shtëpia e rrezikuar nga rënia e materialeve inerte
Inspektimi është aktivizuar pas ankesës së fqinjit Besim Halimi. Ai ka denoncuar se ai dhe familja e tij janë drejtpërdrejt të rrezikuar nga rënia e vazhdueshme e materialeve inerte ndërtimore pranë hyrjes së shtëpisë së tij, duke dërguar edhe dëshmi me fotografi nga vendi i ngjarjes.
Në lidhje me këtë rast, pronari i objektit, Dritëro Shaqiri, ka deklaruar se ndërtesa zotëron të gjithë dokumentacionin e nevojshëm ligjor dhe se kushtet e kërkuara janë plotësuar me shpejtësi.
“Objekti është me leje, është i legalizuar. Është komplet me dokumentacion. Kur e kam nisur tani punën ka qenë inspeksioni i punës. Kanë kërkuar disa kushte, i kam plotësuar kushtet dhe kanë vazhduar punimet. Punimet janë ndalur për dy ditë, dhe i kam rregulluar të gjitha. Nuk ka lidhje kjo asgjë me Nëntorin”, ka thënë Dritëro Shaqiri.
Insajderi ka kontaktuar edhe këshilltarin e kryetarit Alban Hyseni, Nëntor Shaqirin, mirëpo ai nuk ka dashur të komentojë rreth rastit, duke deklaruar shkurt se “nuk është në dijeni për këtë çështje”.
Në lidhje me pretendimet për rrezikimin e shtëpisë fqinje dhe kontrollet ndërtimore, Insajderi ka dërguar pyetje në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti, Komuna e Gjilanit nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
Insajderi ka siguruar pamje që dëshmojnë vendosjen e shiritave për ndalimin e punimeve:
Burimi: insajderi.org










