Një reporter i kanalit publik australian ABC ndërpreu transmetimin e tij për përmbytjet në Queensland dhe u hodh në ujë për të shpëtuar një shofer që kishte mbetur i bllokuar brenda makinës së tij që po fundosej. Incidenti ndodhi në mëngjesin e së enjtes, më 22 tetor, në Morayfield, në veri të Brisbane. Gazetari Will Murray dhe operatoreja Liz Pickering po raportonin mbi pasojat e shirave të dendura, kur vunë re një automjet tip fuoristradë që po përpiqej të kalonte nëpër një rrugë të përmbytur.
Brenda disa sekondash, makina ndaloi dhe filloi të tërhiqej nga rryma e ujit drejt një kanali. Shoferi mbeti brenda, ndërsa niveli i ujit vazhdonte të rritej.
Një reporter televiziv australian dhe një kalimtar shpëtuan një burrë nga një makinë ndërsa ajo po mbulohej nga ujërat e përmbytjes, sipas pamjeve të ngjarjes
Murray njoftoi shërbimet e emergjencës, por kur e humbi nga sytë drejtuesin e mjetit dhe pa që makina po fundosej, vendosi të vepronte. Ai i dha telefonin koleges së tij dhe hyri në ujë, ndërkohë që një burrë tjetër iu bashkua për ta ndihmuar. Të dy notuan drejt automjetit dhe u përpoqën të hapnin njërën nga dyert, por nuk ia dolën. Më pas, gazetari u ngjit në pjesën e pasme të makinës dhe, pas disa përpjekjeve, arriti të hapte derën e pasme në anën e pasagjerit.
Shoferi u afrua drejt hapjes dhe, me ndihmën e dy burrave, doli nga automjeti. Ata e sollën më pas në një vend të sigurt.
Burimi: www.balkanweb.com









