Dy gazetarë që punojnë për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Reuters u goditën me plumba gome gjatë mbulimit të përleshjeve midis policisë dhe protestuesve në Tiranë më 17 tetor, ndërsa një fotograf zviceran raportoi se persona të paidentifikuar e kërcënuan që të fshinte materialet filmike në Durrës.
Këto ngjarje i bëri publike Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, AGSH, i cili të mërkurën shprehu shqetësim për rritjen e dhunës dhe intimidimit ndaj gazetarëve vendas e të huaj gjatë protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Në rastin e raportuar në Durrës, fotoreporteri i pavarur zviceran Raimond Lueppken deklaroi se, teksa po filmonte, dy persona me veshje civile iu afruan dhe i kërkuan të fshinte pamjet e regjistruara. Fotoreporteri nuk pranoi ta bënte këtë.
Ngjarjet e reja e çojnë në të paktën 37 numrin e incidenteve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias të dokumentuara nga AGSH gjatë periudhës 13–19 tetor, kur Shqipëria u përfshi nga një valë protestash të studentëve, nxënësve dhe qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Protestat, të nxitur nga pakënaqësia ndaj korrupsionit, kostos së jetesës dhe mungesës së perspektivës për të rinjtë, janë shoqëruar me përplasje të dhunshme, arrestime në masë dhe akuza për përdorim joproporcional të forcës nga policia.
Gazetarët që kanë mbuluar demonstratat kanë raportuar goditje me plumba gome, përdorim të shkopinjve të gomës dhe sprajit irritues, si dhe pengesa gjatë dokumentimit të ndërhyrjeve policore.
AGSH i kërkoi Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë të hetojnë incidentet e fundit, të sqarojnë rrethanat e goditjes së gazetarëve dhe të identifikojnë personat që ushtruan presion ndaj fotoreporterit zviceran.
Organizata dënoi gjithashtu përpjekjet për t’i detyruar gazetarët të fshijnë materialet e dokumentuara gjatë ushtrimit të detyrës, duke theksuar se mbulimi i veprimeve të autoriteteve gjatë protestave është pjesë e raportimit me interes publik.
“Siguria e gazetarëve është një detyrim i autoriteteve shtetërore dhe jo një çështje që mund të lihet në varësi të rrethanave të protestave”, theksoi AGSH.
Burimi: www.reporter.al










