Një 44-vjeçar u ndalua nga policia shqiptare afër pikës kufitare të Hanit të Hotit, teksa po transportonte tre migrantë me origjinë afrikane në drejtim të Malit të Zi. Ky është një rast tjetër që vë në dukje përdorimin e kufirit verior të Shqipërisë si itinerar tranziti për migracionin e parregullt drejt Bashkimit Europian.
Në bazë të informacionit nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, i dyshuari, i identifikuar me inicialet Gj. U., me banim në Shkodër, u arrestua gjatë orëve të natës në rrugën nacionale pranë Hanit të Hotit, në kuadër të një operacioni të koduar “Destinationi”.
“Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, gjatë natës, në rrugën nacionale pranë PKK Hani i Hotit, duke transportuar me automjetin e tij, 3 shtetas me origjinë afrikane, që synonin të kalonin ilegalisht në territorin e Malit të Zi”, njoftoi policia.
Sipas autoriteteve, tre migrantët nuk dispononin dokumente identifikimi dhe dyshohet se kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri. Policia nuk bëri të ditur shtetësinë e tyre, vendin nga kishin hyrë në territorin shqiptar apo destinacionin përfundimtar të udhëtimit.
Arrestimi i 44-vjeçarit përbën rastin e tretë të raportuar nga policia shqiptare që prej gushtit në kufirin me Malin e Zi.
Më 7 gusht, policia e Shkodrës raportoi zbulimin e një grupi prej 15 migrantësh nga vende afrikane në zonën e Vukpalajt, të cilët dyshohej se po transportoheshin kundrejt pagesës për të kaluar ilegalisht kufirin.
Një tjetër operacion u zhvillua më 28 shtator në Alijaj të Shkodrës, ku policia identifikoi 16 migrantë, mes tyre nëntë shtetas afganë, pesë somalezë dhe dy nga Bangladeshi. Sipas autoriteteve, edhe ky grup po transportohej kundrejt pagesës, me synim kalimin e paligjshëm drejt Malit të Zi.
Në total, gjatë këtyre tri operacioneve janë identifikuar 34 migrantë, megjithëse kjo shifër nuk përfaqëson numrin e përgjithshëm të kalimeve të parregullta apo të tentativave për kalim në kufirin shqiptaro-malazez.
Shqipëria mbetet një vend tranziti për migrantët e parregullt, sipas raportit të Komisionit Europian për vitin 2025, ndërsa një pjesë e migrantëve që hyjnë në territorin shqiptar nga Greqia përpiqen të vazhdojnë udhëtimin drejt vendeve të Bashkimit Europian përmes Kosovës ose Malit të Zi.
Burimi: www.reporter.al










