Dy individë u shoqëruan në Stacionin Policor në Gjilan, me dyshimin se kanë ushtruar kanosje, pas shpalljes së vendimit me 25 vjet burg për Egzon Shallkin, i akuzuar për vrasjen e Auron Ferizit.
Këtë informacion e ka konfirmuar për Insajderin zëdhënësi i Policisë, Valon Osmani.
Ai ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur më 20 tetor 2026, pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Gjilan.
“Pas shpalljes së aktgjykimit ndaj të akuzuarit nga Gjykata Themelore në Gjilan në lidhje me një rast të vrasjes së rëndë, policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për një rast të dyshuar kanosjeje. Si rezultat, dy persona janë shoqëruar nga zyrtarët policorë në Stacionin Policor në Gjilan”, ka deklaruar Osmani për Insajderin.
Sipas tij, të dyshuarit janë intervistuar në përputhje me procedurat ligjore, ndërsa rasti, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, do të procedohet në procedurë të rregullt gjyqësore.
Osmani ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë nga hetuesit policorë të Stacionit Policor në Gjilan, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.
Lexo edhe:
Burimi: insajderi.org










