Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kronikë

AGSH ngre zërin kundër dhunës policore mbi gazetarët

AGSH ngre zërin kundër dhunës policore mbi gazetarët

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënoi të hënën, më 19 tetor, pesë raste të tjera të dhunës nga policia ndaj gazetarëve që po raportonin për protestat kundër qeverisë në Tiranë, duke e çuar në 32 numrin e përgjithshëm të rasteve të raportuara gjatë shtatë ditëve të fundit.

Sipas AGSH-së, 29 nga këto incidente lidhen me veprime të punonjësve të Policisë së Shtetit ose personave që dyshohen se janë pjesë e saj, ndërsa vetëm tre raste u atribuohen protestuesve.

Raportohet se dy gazetarë u goditën me plumba gome gjatë ndërhyrjeve të forcave të rendit për të shpërndarë protestuesit.

Gazetari i A2 CNN, Armand Bajrami, u godit me plumb gome ndërsa po raportonte drejtpërdrejt nga protesta, sipas AGSH-së. Një incident i ngjashëm u raportua edhe për gazetarin e KlikNews.al, Gazment Seiti.

Asociacioni i cilësoi këto dy raste si veçanërisht shqetësuese për shkak të rrezikut të dëmtimeve të rënda fizike nga përdorimi i plumbave të gomës ndaj gazetarëve gjatë kryerjes së detyrës.

Ndërkohë, gazetari i Andale.al, Hamza Jaupi, raportoi se ishte goditur me shkop gome dhe ishte spërkatur me spraj nga efektivë të policisë. Sipas AGSH-së, veprimet ndaj tij janë dokumentuar.

Një tjetër gazetar i së njëjtës media, Sergei Senka, raportohet se është spërkatur drejtpërdrejt me spraj nga punonjës të policisë. Asociacioni njoftoi gjithashtu një incident që përfshin gazetarin Endri Cuka të Andale.al, pa dhënë hollësi të mëtejshme mbi rrethanat.

AGSH vlerëson se përsëritja e rasteve të dhunës ndaj gazetarëve dhe përdorimi i mjeteve të forcës nga policia përbëjnë një përshkallëzim serioz të rrezikut për lirinë e raportimit dhe sigurinë e punonjësve të medias.

“Është e papranueshme që gazetarët, të cilët kanë detyrën të dokumentojnë veprimet e autoriteteve dhe zhvillimet në terren, të ekspozohen ndaj përdorimit të forcës nga institucioni që ka detyrimin ligjor t’i mbrojë”, deklaroi asociacioni.

Organizata u bëri thirrje Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë të nisin hetime për incidentet e raportuara, të administrojnë pamjet filmike dhe dëshmitë, si dhe të identifikojnë efektivët përgjegjës.

AGSH kërkoi veçanërisht hetimin e rrethanave të përdorimit të plumbave të gomës ndaj Armand Bajramit dhe Gazment Seitit.

“Gazetarët nuk janë objektiva të ndërhyrjeve policore. Ata janë aty për të dokumentuar ngjarjet dhe për të garantuar që publiku të informohet”, theksoi organizata.

Denoncimet vijnë ndërsa protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të përshkallëzuara që prej 13 tetorit me përfshirjen masive të studentëve dhe gjimnazistëve, janë shoqëruar me përleshje të dhunshme, arrestime dhe përdorim të gazit lotsjellës, ujit me presion dhe plumbave të gomës nga policia.

Gjatë ditëve të fundit, organizata vendase dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve kanë shprehur shqetësim për sulmet dhe pengimin e raportimit gjatë protestave, duke kërkuar respektimin e sigurisë së punonjësve të medias dhe hetimin e incidenteve.

AGSH deklaroi se do të vazhdojë dokumentimin e rasteve dhe ndjekjen e tyre pranë institucioneve përgjegjëse, si dhe informimin e organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së medias.

Pretendimet për përfshirjen e efektivëve në incidentet e raportuara nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur për secilin rast. Në deklaratën e AGSH-së nuk përfshihet një reagim i Policisë së Shtetit ndaj akuzave të ngritura.

Burimi: www.reporter.al

Të fundit Të gjitha