Këngëtarja amerikane Ariana Grande po kalon në një periudhë të vështirë emocionale pasi humbi qenushen e saj të dashur, Coco, e cila e shoqëroi për më shumë se shtatëmbëdhjetë vjet.
Ylli i muzikës e ndau këtë lajm më 19 tetor me anë të një postimi prekës në Instagram, bashkë me 17 fotografi dhe video që tregojnë momente të ndryshme të jetës së tyre së bashku.
Coco, më e ëmbla, më e mrekullueshmja dhe më e bukura… Ndjehem shumë krenare për ty. Të falënderoj për dashurinë që më dhe dhe që e bëre këtë planet më të mirë me praninë tënde për më shumë se shtatëmbëdhjetë vite të mrekullueshme
-ka shkruar këngëtarja.
Ajo e mbylli mesazhin me fjalë mallëngjyese, duke theksuar se shoqen e saj katërkëmbëshe do ta mbajë përgjithmonë në zemër.
Ti e bën më të bukur çdo vend ku shkon. Do të më mungosh çdo ditë dhe do të të mbaj gjithmonë në zemrën time. Të dua pa masë, vajza ime e ëmbël
-ka shkruar Grande.
Coco ishte pranë Arianës që shumë kohë përpara se ajo të kthehej në një nga yjet më të mëdha të muzikës pop. Qenushja iu bashkua jetës së këngëtares rreth vitit 2010, kur Grande ishte ende e përfshirë në serialin televiziv “Victorious”.
Në vitin 2012, Coco u shfaq edhe në një nga videot e para të Arianës në YouTube, ku këngëtarja e prezantoi me humor si pjesëmarrëse në një “intervistë”. Me kalimin e viteve, ajo u bë një nga kafshët shtëpiake më të njohura të artistes dhe një pjesë e rëndësishme e jetës së saj personale.
Fotografitë që Grande publikoi përfshinin momente përqafimesh, kujtime nga vitet e para dhe pamje nga ditëlindja e 17-të e Coco-s, kur qenushja festoi me një tortë të posaçme për të.
Ariana Grande ka folur shpesh për dashurinë e saj ndaj kafshëve dhe për rëndësinë e adoptimit. Gjatë viteve, ajo ka adoptuar disa qen nga strehëzat, të cilët janë bërë pjesë e familjes së saj.
Në vitin 2020, këngëtarja bashkëthemeloi organizatën “Orange Twins Rescue” në Los Angeles, me qëllim që të ndihmojë kafshët e braktisura të gjejnë familje të dashura.
Humbja e Coco-s shënon mbylljen e një kapitulli të veçantë në jetën e artistes. Përmes mesazhit të saj, Ariana kujtoi jo vetëm vitet e kaluara së bashku, por edhe lidhjen e veçantë që mund të krijohet mes një njeriu dhe kafshës së tij.
Për këngëtaren, Coco nuk ishte thjesht një qenush, por një shoqe e pandashme që e shoqëroi në një pjesë të madhe të rrugëtimit të saj personal dhe profesional.
Burimi: www.topalbaniaradio.com










