Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka mbajtur një takim me kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, kryeprokurorin e Shtetit, Zejnullah Gashi, si dhe me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Rrustem Thaqi.
Diskutimi u fokusua kryesisht në reformat brenda sektorit të drejtësisë, në problematikat me të cilat përballen institucionet prokuroriale, si dhe në domosdoshmërinë për të rritur mbështetjen nga institucionet e tjera.
Arian Gashi dhe Zejnullah Gashi uruan presidenten Shiroka-Pula për detyrën e re, duke i prezantuar asaj situatën aktuale në sistemin prokurorial dhe pengesat që po ndikojnë negativisht në punën e institucioneve të Prokurorit të Shtetit.
Ndër çështjet e trajtuara ishin mungesa e mjeteve buxhetore dhe vështirësitë në infrastrukturë. Sipas tyre, mbështetja institucionale është thelbësore për përmbushjen e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të sistemit prokurorial, si dhe për avancimin e reformave në drejtësi.
Presidentja Justina Shiroka-Pula theksoi se do të vijojë të mbështesë reformat në drejtësi dhe institucionet përgjegjëse, veçanërisht në përballimin e sfidave të tyre.
Ajo vuri në dukje se zgjidhja e vështirësive buxhetore, sigurimi i mbështetjes institucionale dhe forcimi i sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës janë çështje me rëndësi të madhe.
Takimi përfundoi me konstatimin e përbashkët se pavarësia e institucioneve, konsolidimi i sundimit të ligjit dhe mbështetja e reformave në drejtësi janë thelbësore për funksionimin e tyre dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj qytetarëve.
Burimi: www.albeu.com










