Analisti Vehbi Kajtazi ka shprehur kritika ndaj mundësisë që presidentja ta rikthejë në Kuvend ligjin e ndryshuar për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se një veprim i tillë do të sillte pasoja politike për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Në një postim, Kajtazi ka deklaruar se pret që Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara ta rrëzojë ligjin, por sipas tij, kthimi i tij nga presidentja do të ishte i dëmshëm si për Kosovën ashtu edhe për PDK-në.
“Është e pritshme që Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara ta rrëzojë ligjin e ndryshuar. Por, për Kosovën, do të ishte fatale që atë ta kthente presidentja”, ka shkruar ai.
Përgjegjësia politike e PDK-së
Sipas Kajtazit, PDK-ja do të duhej t’u jepte shpjegime qytetarëve për protestat e organizuara për tri javë, nëse ligji do të kthehej në Kuvend.
“Do të ishte fatale edhe për PDK-në, e cila do të duhej t’i sqaronte popullit se për çfarë i nxori njerëzit në protesta për tri javë. PDK-ja, këtë lojë do të duhej t’ua sqaronte edhe Ramush e Daut Haradinajt dhe Fatmir Limajt, të cilët ishin në ballë të protestës”, ka deklaruar Kajtazi.
Ai ka ngritur dyshime se ligji mund të jetë duke u përdorur për interesa brenda partisë, në kuadër të garës për kryetar të PDK-së.
“Nëse gara për kryetar të PDK-së paska arritur deri në pikën që ky ligj të përdoret si atu për njërin apo tjetrin kandidat, ky është fundi i kësaj partie”, ka shkruar ai.
Kërkesa për hyrjen në fuqi të ligjit
Kajtazi ka kërkuar që ligji të hyjë në fuqi me përmbajtjen aktuale, duke përfshirë edhe nenin që parasheh vuajtjen e dënimit në Kosovë.
“Ligji duhet të hyjë në fuqi me këtë përmbajtje, përfshirë nenin që parasheh vuajtjen e dënimit në Kosovë. Salih Mustafa e Pjetër Shala janë të dënuar. Mbajtja e tyre në qendër paraburgimi është e papranueshme. Danimarka po sjell të dënuar në Kosovë. Pse Kosova mos t’i kthejë qytetarët e saj?”, ka thënë ai.
Në postimin e tij, Kajtazi i është drejtuar edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, duke kërkuar që ai të sqarojë situatën brenda partisë lidhur me këtë çështje.
“Bedri Hamza duhet të dalë e të flasë: çfarë loje të pistë po luhet në PDK në kurriz të atyre që janë në Hagë? Ai e di mirë këtë. Kjo është edhe arsyeja e dorëheqjes së tij këtë kohë”, ka shkruar Kajtazi.
Ai ka theksuar se Kuvendi ka të drejtë ta ndryshojë dhe plotësojë ligjin, por sipas tij, kthimi i tij nga presidentja do ta zbehte efektin politik të çdo miratimi të mëvonshëm.
“Të gjithë e dimë se Kuvendi mund ta ndryshojë e ta plotësojë secilin ligj. Mund ta ndryshojë edhe këtë. Por, nëse e kthen presidentja, efekti politik i tij do të jetë zero, në çfarëdo forme që të miratohet më pas”, ka shkruar ai.
Kajtazi ka vlerësuar se kthimi i ligjit në Kuvend do të ishte në favor të kryeministrit Albin Kurti.
“Kthimi i ligjit në Kuvend do të ishte fatal për PDK-në dhe krediti më i madh politik për Albin Kurtin, i cili natën e votimit ua bëri të qartë se ‘po luhet një lojë’. Marrë e madhe!”, ka shtuar ai.
Burimi: pressonline.al









