Shkelja e të drejtave të njeriut nga Dhomat e Specializuara në Hagë është një ndër çështjet që ka mbajtur gjallë debatin publik që nga themelimi i Gjykatës Speciale.
Mbrëmë, Gresa Krasniqi, vajza e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, bëri me dije se babai i saj kishte refuzuar vizitën e mjekëve në Hagë dhe se do të vazhdonte të vepronte njësoj edhe në të ardhmen.
“Sot, gjatë një bisede telefonike, më tha: ‘Erdhën disa doktorë për të më kontrolluar, sigurisht që i refuzova’”, citohet në njoftimin e Gresa Krasniqit.
Jakup Krasniqi refuzon kujdesin mjekësor në Hagë
Protestën kundër mohimit të të drejtave të njeriut, ose të «çdo të drejte njerëzore në Hagë», Jakup Krasniqi e përcjell përmes vajzës së tij, me këto fjalë:
“Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre”, thuhet, ndër të tjera, në njoftimin e Gresa Krasniqit.
Ndërkohë, Nasim Haradinaj, i cili ka vuajtur dënimin në Hagë, ka dhënë dy deklarata në të cilat pretendon se punonjësit e Gjykatës Speciale u kanë marrë qindra mijëra euro.
Në njërën prej intervistave të para pas lirimit nga Haga, Nasim Haradinaj, duke kujtuar përvojat e tij lidhur me shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut, rrëfente:
“Ushqimi është katastrofë dhe hajnia është në kulm. Tetë vetëve na kanë vjedhur, për atë periudhë, minimumi nga 2 mijë euro secilit.
Ne porositnim ushqim dhe secili e ka çmimin. Ata ta sillnin ushqimin. Nganjëherë na i zbritnin shumat nga xhirollogaria, nganjëherë na i zbritnin nga dy herë, ndërsa nganjëherë na i faturonin produkte që nuk i kishim porositur.
Minimumi, secilit prej nesh i janë vjedhur të paktën 1 800 euro.
Pjetrit (Shalës) dhe Calit u janë vjedhur shumë para. Edhe neve na janë marrë shuma të konsiderueshme. Llogarite: tetë vetëve nga 2 mijë euro, gjithsej 16 mijë euro na janë vjedhur në mes të Evropës. E di gjykata, e di prokuroria”, rrëfente Nasim Haradinaj në intervistën e parë në emisionin «Debat Plus», pas lirimit nga Haga.
Haradinaj e përsëriti këtë rrëfim edhe mbrëmë, në Kanal 10, në kontekstin e pretendimeve për shkelje të të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale.
Pretendimet e Nasim Haradinajt për pagesa të dyfishta dhe izolim
Ai rrëfen gjithashtu se si kishte kërkuar katër herë takim me Avokatin e Popullit të Dhomave të Specializuara dhe se mezi kishte arritur ta bindte atë për ta pritur.
“Avokatin e Popullit e kam thirrur katër herë, atë hajn. Vetëm i ngrinte krahët: ‘Nuk di, unë nuk e di’. Hajdut është ai, sepse po i vjedh paratë e taksapaguesve.
Si qyqe, e kam detyruar të vijë me zor. Nuk donte të vinte, mendonte se po e kryente punën vetëm përmes monitorimit. I kemi treguar se po na i vjedhin paratë. Secilit prej nesh na janë vjedhur paratë private, nga 2 mijë euro secilit, gjithsej 16 mijë euro.
Pagesat për mallrat që blinim na i regjistronin dy herë”, rrëfen Haradinaj.
Në rrëfimet e tij për periudhën e qëndrimit në burgun e Hagës, Haradinaj përmend edhe një ngjarje shqetësuese. Ai thotë se, në një periudhë të caktuar, të gjitha dritaret u ishin mbyllur, në mënyrë që të mos mund ta shihnin njëri-tjetrin.
Sipas tij, kjo kishte ndodhur para fillimit të gjykimit të Salih Mustafës, i njohur me nofkën Cali.
“Calin e kanë izoluar para se ta gjykonin. Neve na i kanë mbyllur dritaret, jo vetëm që të mos mund të komunikonim, por as të mos shihnim se çfarë po ndodhte atje poshtë, në vendin ku shëtisnim.
Kanë dashur të mbyllnin edhe një dritare në kuzhinë. Aty kanë ndërhyrë Kadri Veseli dhe të gjithë ne të tjerët, ndërsa situata ka qenë në prag të përshkallëzimit.
Kur ka ndërhyrë Kadria, të gjithë e kemi mbështetur dhe e kemi parë se situata po përshkallëzohej.
Është vendosur një mbulesë në dritare dhe nuk shihnim as dritën”, rrëfen Nasim Haradinaj.
Duhet kujtuar se ndër raportet që kanë trajtuar shqetësimet lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut nga Dhomat e Specializuara, një ndër më të përfolurit është raporti i Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC), i përgatitur me kërkesë të Avokatit të Popullit të Kosovës.
Raporti ngre shqetësime lidhur me garantimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtën për një gjykim të drejtë. Ndër çështjet e trajtuara janë kohëzgjatja e paraburgimit, përdorimi dhe kundërshtimi i provave të siguruara nga Serbia, si dhe shqetësimet lidhur me pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës.
Këto çështje kërkojnë shqyrtim të kujdesshëm juridik. Megjithatë, është e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet shqetësimeve dhe pretendimeve të paraqitura në raport dhe konstatimit përfundimtar juridik se në raste konkrete janë shkelur të drejtat e njeriut.
Burimi: insajderi.org









