Seanca e sotme e Kuvendit është karakterizuar nga përplasje të ashpra mes deputetëve dhe ministrave, raporton Ekonomia Online.
Dy çështje kryesore i vunë përballë deputetët me ministrat: futja e një personi brenda kampit të policisë dhe vdekja e një pacienteje me kancer.
Debati për mungesën e barnave
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, kritikoi ministrin për mungesën e barnave.
“Tani, ministër, meqenëse je këtu, jo se Albin Kurti nuk është më përgjegjës se ti; ai sigurisht që është më përgjegjës. Nuk e di si fle natën, kur dikush qan se e ka kancerin, e ju rregulloni një mindilin. A e keni idenë që, për gjashtë vitet e fundit, ka pasur rritje prej 30 për qind të vdekjeve në spitalet rajonale dhe në QKUK? Mbi 42 për qind janë rritur rastet e reja me tumor”, tha Ymeri.
Reagimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ishte i menjëhershëm; ai akuzoi mediat për raportim jo korrekt.
Vitia theksoi se shkaku i vdekjes nuk mund të përcaktohet pa procedura mjekësore dhe kritikoi raportimin për këtë rast.
“Një gazetare, pa bërë asnjë verifikim të lajmit, pa bërë asnjë konfirmim, e paraqet menjëherë, bile edhe në lajmet qendrore të një mediumi. Paramendojeni, të nderuar qytetarë, të dashur deputetë, për shkakun e vdekjes nevojitet autopsia dhe shumë procedura të tjera për të qenë i qartë”, theksoi ministri.
Shqetësimet për sigurinë në kampin policor të Vrellës
Debat pati edhe për futjen e një personi në kampin policor të Vrellës dhe publikimin e pamjeve nga infrastruktura e sigurisë në YouTube, me vlerësimin se rasti ngre shqetësime serioze për sigurinë kombëtare.
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, potencoi se bëhet fjalë për një objekt të infrastrukturës kritike të sigurisë, ku qasja e personave të paautorizuar nuk do të duhej të lejohej.
“E ka vendosur në YouTube, pjesë të cilat asnjëherë jo vetëm që nuk do të duhej të incizohen e filmohen, por nuk do të duhej fare që dikush të ketë qasje aty. Pra, nuk po flasim për një park publik, po flasim për një objekt të tërësisë së veçantë të infrastrukturës kritike, sigurisë kombëtare, të Kosovës. E çka, nëse ky ka qenë testim armiqësor? Rezultati dihet, shihet. Pra, është e qartë: siguria është shkelur, dhe ky është skandal fort i madh”, potencoi Ramadani.
Në të njëjtën linjë me Ramadanin ishte edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e cila kërkoi hetim të thellë dhe përgjegjësi.
“Prandaj, meqë jam njoftuar edhe zyrtarisht që Inspektorati Policor i Kosovës i ka filluar hetimet me këtë rast, dua të kërkoj edhe një herë zëshëm Inspektoratit Policor që të bëjë një hetim të thellë dhe t’i nxjerrë para përgjegjësisë personat të cilët kanë qenë përgjegjës për monitorimin ose për sigurinë e këtij kampi”, tha Musliu.
E ashpër në fjalimin e saj ishte edhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, e cila refuzonte ta lëshonte foltoren e Kuvendit.
Në mbrojtje të bashkëpartiakut, kryetarit të Mitrovicës, Faton Peci, doli ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
“Ministri Faton Peci, ish-ministri i bujqësisë, kryetari i sotëm i Mitrovicës. Do të mbahet mend për transformimin e bujqësisë, si një prej ministrave për luftimin e pakompromis të krimit dhe të korrupsionit, dhe do të mbahet mend si një prej ministrave më të guximshëm të Qeverisë Kurti II”, tha Gërvalla.
Ndryshe, pas zgjedhjes së presidentes Justina Shiroka-Pula, kjo ishte seanca e dytë plenare që është mbajtur në Kuvendin e Kosovës.
Burimi: pressonline.al










