Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Ekonomi

ISUV zgjeron gamën e analizave laboratorike, priten konfirmime edhe nga laboratorë të BE-së

ISUV zgjeron gamën e analizave laboratorike, priten konfirmime edhe nga laboratorë të BE-së

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë ndryshimesh dhe plotësimesh në vendimin që rregullon organizimin dhe funksionimin e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV). Qëllimi i këtyre ndryshimeve është përmirësimi i kapaciteteve laboratorike, si dhe forcimi i kontrollit në sektorët e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe fitosanitetit.

Bazuar në vendimin e ri, ISUV do të zhvillojë analiza laboratorike në përputhje me programet kombëtare, strategjitë sektoriale, planet e monitorimit, programet e mbikëqyrjes dhe kontrollet zyrtare për të cilat instituti është i autorizuar.

Vendimi parashikon gjithashtu kryerjen e analizave rikonfirmuese nga laboratorë ndërkombëtarë të Bashkimit Evropian, të cilët janë të akredituar dhe të autorizuar nga autoritetet përkatëse. Kjo do të zbatohet në rastet e shpërthimit të sëmundjeve, epidemive, si dhe kur shfaqen dëmtues karantinorë në bimë, produkte bimore dhe objekte të tjera.

Një tjetër pikë e vendimit është zëvendësimi i shkurtesës OIE me emërtimin Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve (WOAH), në të gjithë tekstin e vendimit ekzistues.

Për zbatimin e këtyre ndryshimeve janë ngarkuar Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/e.i/r.e/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha