Një shtetase e huaj është ndaluar nga Policia e Kosovës, me dyshimin për kryerjen e mashtrimit dhe pastrimit të parave të përfituara nga vepra penale, në lidhje me transaksionet e pronave në vend.
Bazuar në informacionin zyrtar të Policisë, gruaja e dyshuar ka përdorur një dokument autorizimi të falsifikuar, të lëshuar nga një noter jashtë territorit të Kosovës, për të kryer shitjen e disa pronave që ishin të regjistruara në emër të dajës së saj.
Sipas hetimeve, ajo dyshohet se ka paraqitur një person të identifikuar si të panjohur, duke përdorur të dhënat personale të dajës së saj dhe duke pretenduar se ai e kishte autorizuar për t’i shitur ato prona.
Nga hetimet ka rezultuar se e dyshuara ka tentuar disa herë të shesë parcelat e tokës, ndërsa në dy raste ajo dyshohet se ka arritur të përfundojë shitjen.
Në rastin e fundit, dyshohet se një parcelë është shitur për një shumë prej rreth 150 mijë eurosh.
E dyshuara është marrë në pyetje nga hetuesit e Sektorit për Hetime Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.
Pas vendimit të prokurorit të çështjes, ndaj saj është urdhëruar masa e ndalimit për një periudhë 48-orëshe.
Burimi: insajderi.org










