Tirana po mban Forumin e Investimeve Bashkimi Europian–Ballkani Perëndimor, një aktivitet dyditor që ka mbledhur mbi 600 investitorë nga Europa dhe rajoni. Në ditën e parë janë prezantuar disa start-upe nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Një rajon i lidhur, një treg më i madh
Ministrja e Ekonomisë foli për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal. „Të marra veçmas, ekonomitë tona janë relativisht të vogla. Por, si një rajon i ndërlidhur, Ballkani Perëndimor përfaqëson një mundësi krejt tjetër për investitorët.“
Ajo foli edhe për strukturën e ekonomisë shqiptare dhe për klimën e biznesit, ndërsa ftoi sipërmarrësit e huaj të investojnë në Shqipëri.
Investime me efekt afatgjatë
„Ne duam që investimet e huaja të lënë një gjurmë afatgjatë në ekonomi, përmes transferimit të teknologjisë, zhvillimit të furnitorëve vendas, rritjes së produktivitetit dhe krijimit të vendeve të punës që kërkojnë aftësi të specializuara.“
Forumi synon të krijojë ura të reja bashkëpunimi mes investitorëve, institucioneve financiare dhe bizneseve të rajonit, duke nxitur projekte të përbashkëta dhe mundësi të reja financimi në procesin e afrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.
Burimi: euronews.al










