TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Në mbledhjen e zhvilluar sot, Këshilli i Ministrave aprovoi një sërë plotësimesh dhe modifikimesh që prekin procedurat për regjistrimin dhe publikimin e informacionit pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Konform vendimit të miratuar, njësitë tregtare do të kenë detyrimin të sigurojnë certifikatën e kodit NVE, e cila shërben për klasifikimin e veprimtarisë ekonomike të subjektit, të lëshuar nga Dhoma Ekonomike Kombëtare (DHEK). Për sipërmarrjet e sapokrijuara, kjo certifikatë duhet të dorëzohet në portalin “e-Albania” brenda një afati prej 30 ditësh kalendarike nga momenti i regjistrimit fillestar, ndërsa kodi do t’i nënshtrohet verifikimit periodik çdo vit.
Për subjektet që operojnë aktualisht dhe nuk e posedojnë këtë certifikatë, është parashikuar një afat prej një viti kalendarik për dorëzimin e saj, duke nisur nga çasti kur hyjnë në fuqi dhe plotësohen kushtet teknike të sistemit si dhe ndërveprimi ndërinstitucional.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i vendimit qeveritar lidhet me dorëzimin e pasqyrave financiare vjetore, i cili do të realizohet në formë elektronike përmes portalit “e-Albania”.
Pas dorëzimit, informacioni do të përcillet automatikisht nga sistemi elektronik i QKB-së drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. QKB-ja do të kryejë verifikimin formal të dokumentacionit për sa i përket plotësisë dhe përputhshmërisë me kërkesat e përcaktuara, ndërsa aplikimet që paraqesin mangësi ose pasaktësi do të refuzohen.
QKB-ja do të mundësojë lëshimin e ekstrakteve të thjeshta në format elektronik pa pagesë, përmes faqes zyrtare ose portalit “e-Albania”. Këto mund të kërkohen nga vetë subjekti ose nga çdo person tjetër i interesuar, pa asnjë kufizim.
Vendimi parashikon gjithashtu përcaktimin e procedurave për shkëmbimin e të dhënave me sistemin e ndërlidhjes së regjistrave tregtarë të Bashkimit Evropian (BRIS), duke përfshirë informacionin mbi degët, shndërrimet, bashkimet dhe ndarjet ndërkufitare të shoqërive. Këto dispozita do të hyjnë në fuqi pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. Dispozitat për dorëzimin e pasqyrave financiare, certifikimin e kodit NVE, deklarimin e vendndodhjes dhe ekstraktet e regjistrit tregtar parashikohet të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027, pas plotësimit të kushteve teknike dhe të ndërveprimit ndërinstitucional.
/e.i/r.e/a.f/
Burimi: ata.gov.al










