E pranishme në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, gazetarja Kostana Morava hyri në një përballje diskutimi me studenten Hana Spahia, në lidhje me protestën e të rinjve dhe formën se si ata kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.
Morava parashtroi argumentin se studentët kishin pasur rastin t’i bënin të njohura shqetësimet e tyre më parë dhe të ndërtonin një lëvizje të re politike, e cila sipas mendimit të saj, do të mund të krijonte shpresë për Shqipërinë.
Gazetarja vuri theksin se studentët mund t’i shprehin pakënaqësitë dhe të protestojnë pikërisht për arsye se jetojnë në një vend demokratik
“Kishit rastin t’i shprehnit një vit më parë shqetësimet e drejta. Pa dyshim, në çdo qeveri ka pakënaqësi dhe sikur nesër të vijë një e re, përsëri do të ketë pakënaqësi, sepse është proces normal për një vend normal demokratik. Pikërisht sepse jeni në demokraci, prandaj keni këto pakënaqësi, pikërisht sepse jeni në një vend demokratik, i shprehni këto pakënaqësi. Madje, këtu demokracia duket se ka kaluar çdo lloj niveli, saqë dhuna normalizohet. Është një formë e re demokracie që duhet ta marrin parasysh shkencëtarët e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ju e dini shumë mirë çfarë është demokracia. Këtë lloj proteste nuk e bënit në një vend që nuk është demokratik. Dhe, për më tepër, të qëndroni pesë muaj në bulevard. Me atë protestë, jeni tallur me popullin shqiptar, sepse kishit pesë muaj kohë për të krijuar një lëvizje që mund të ishte shpresë për Shqipërinë, një lëvizje të re politike ku të shpreheshin shqetësimet. Dhe jo vetëm që nuk e bëjnë, por vazhdojnë si disa fëmijë kapriçozë: ‘Ik ti që të vij unë’. Po dakord, do të iki ky, por kush do të vijë?”, tha Morava.
“Na ka trajtuar me përbuzje dhe tallje”, studentja i përgjigjet Ramës: Do të na fusë në kurth
Burimi: euronews.al










