Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Apartamentet kthehen në lekë, çmimet shtrenjtohen indirekt

Apartamentet kthehen në lekë, çmimet shtrenjtohen indirekt
Foto: balkanweb.com

Pas 23 vitesh në euro, apartamentet fillojnë të shiten në lekë, shtrenjtohen indirekt çmimet

Rënia e euros ka sjellë që pas 23 vitesh çmimet e apartamenteve në vend të tregtohen në monedhën vendase. Për agjentët imobiliarë, ndryshimi i nisur prej 3 muajsh po shtrihet në të gjithë tregun e pasurive të paluajtshme, përfshirë shitblerjen e apartamenteve me kontrata porosie, të përfunduara dhe rishitje.

Nga mesi i vitit 2016, euro filloi një rënie të pandërprerë, duke zbritur për herë të parë sot nën kufirin e 90 lekëve.

Krahasuar me nivelin maksimal historik prej 142,8 lekësh, të shënuar më 9 qershor 2011, monedha europiane është zhvlerësuar me rreth 37%, duke arritur një minimum të ri historik më 20 nëntor, nën kufirin e 90 lekëve. Pas tranzicionit në fillim të viteve ’90, mallrat e qëndrueshme, si shtëpitë dhe automjetet, shiteshin në pjesën më të madhe në valutë të huaj, për shkak të pasigurisë së monedhës vendase. Fillimisht shitja kryhej në dollarë. Që nga viti 2003, kur euro u barazua me dollarin dhe e tejkaloi atë në bursa, ajo filloi të bëhej monedha e preferuar e shqiptarëve, dhe pagesat për makina, apartamente etj. u konvertuan nga dollari në euro.

Shitja në lekë për të shmangur luhatjet e kursit

Por për shkak të zhvlerësimit të lartë të euros, sipas agjentëve imobiliarë, çmimet e pronave në tregun e shitblerjes në nivel kombëtar po orientohen drejt lekut, për të shmangur pasigurinë nga luhatjet e kursit të këmbimit.

Kërkesa për apartamente në stanjacion, vështirësi për kullat dhe vilat

Ndryshimi i monedhës së shitjes vjen në një periudhë kur tregu i pasurive të paluajtshme përballet edhe me stanjacion të kërkesës, ndërsa çmimet nuk kanë ndryshuar.

Por kalimi në lekë nuk është shoqëruar me ulje të çmimeve të apartamenteve. Përkundrazi, në disa raste pronat po ofrohen me çmime më të larta, pavarësisht se kërkesa është në stanjacion.

Kjo do të thotë se forcimi i lekut nuk po përkthehet domosdoshmërisht në përfitim për blerësit, ndërsa zhvilluesit po përpiqen të mbrojnë vlerën e shitjes nga luhatjet e kursit të këmbimit.

Indirekt, vetëm nga kursi, çmimet janë shtrenjtuar. Për shembull, nëse një apartament sot shitet me 30 milionë lekë, ndërsa më parë kushtonte 300 mijë euro, kjo shumë, e konvertuar me kursin aktual, është 330 mijë euro, ose rreth 11% më shumë.

Shqetësimin për ecurinë e kërkesës për pronat luksoze e ngritën edhe ndërtuesit në formin ekonomik të zhvilluar nga Monitor “Top 200”.

Në muajin shtator 2026, agjentët imobiliarë pohuan se kërkesa për blerje apartamentesh në Tiranë ishte në rënie.

Sipas tyre, rënia e kërkesës për prona rreth 2 muaj më parë u ndikua nga largimi i blerësve me burime financimi nga paraja informale, si dhe nga intensifikimi i hetimeve të SPAK për figura të politikës dhe sipërmarrjes. Për segmentin e strehimit, rënia e kërkesës u ndikua nga papërballueshmëria e çmimeve.

Në Tiranë, çmimet e apartamenteve në kullat rezidenciale po shiten mbi 6 mijë euro për metër katror.

Kjo rritje dyshifrore e çmimeve, e shkëputur nga ritmi i rritjes së të ardhurave, po rikthen debatin nëse tregu i pasurive të paluajtshme po mbivlerësohet dhe nëse ekziston rreziku i krijimit të një flluske. Sipas të dhënave të INSTAT, deri në tremujorin e dytë të vitit 2026, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar arriti në 92 mijë lekë.

/Monitor

Burimi: www.balkanweb.com

Të fundit Të gjitha