BERLIN, 20 tetor /ATSH-DPA/ – Kompania e madhe amerikane e tregtisë online “Amazon” ka bërë të ditur sot se synon të investojë rreth 16 miliardë euro në Gjermani gjatë vitit të ardhshëm.
Ky njoftim vjen në një periudhë kur kancelari gjerman, Friedrich Merz, po pret në Berlin drejtues të kompanive të mëdha, në një samit të parë të këtij lloji, i cili ka si qëllim tërheqjen e më shumë investimeve private, për të nxitur ekonominë gjermane, më të madhen në Evropë, pas disa vitesh rritjeje të dobët.
“Amazon” njoftoi se investimet e planifikuara do të përfshijnë krijimin e vendeve të punës, zhvillimin e teknologjisë dhe ndërtimin e infrastrukturës.
Në këtë plan përfshihen zgjerimi i qendrave të të dhënave dhe i infrastrukturës për inteligjencën artificiale (IA), ofrimi i internetit satelitor me shpejtësi të lartë përmes shërbimit “Amazon Leo”, projekte të reja logjistike në të gjithë vendin, si dhe prodhimi i një numri të madh projektesh të reja për platformën e transmetimit “Prime Video”.
“Gjermania është një qendër e inovacionit dhe një nga vendet më tërheqëse në Evropë për investime”, deklaroi David Zapolsky, drejtuesi kryesor i “Amazon” për çështjet globale dhe ato ligjore, sipas njoftimit të kompanisë.
“Për këtë arsye, kemi investuar më shumë se 100 miliardë euro në Gjermani që nga viti 2010 dhe planifikojmë të investojmë edhe 16 miliardë euro të tjera në vitin 2027. Synojmë t’u sigurojmë bizneseve, komuniteteve dhe krijuesve gjermanë, infrastrukturën dhe mjetet e nevojshme për të konkurruar dhe për t’u zhvilluar”, shtoi ai.
Sipas kompanisë, rreth 4,8 miliardë euro nga shuma e planifikuar do të përdoren për zgjerimin e infrastrukturës së “Amazon” për shërbimet kompjuterike në internet (cloud) dhe inteligjencën artificiale në Gjermani.
“Amazon” bëri të ditur se rreth 3 000 persona punojnë aktualisht në Frankfurt për AWS, shërbimin e saj që u ofron bizneseve hapësirë ruajtjeje të dhënash, fuqi kompjuterike dhe shërbime të tjera përmes internetit. //a.i/
Burimi: ata.gov.al










