Automjete të blinduara izraelite janë vërejtur duke lëvizur pranë ndërtesës së ish-guvernatorit në qytetin e Kuneitrës, në jug të Sirisë, në një moment kur Damasku zyrtar ka shprehur kritika të forta për rritjen e sulmeve ushtarake izraelite në këtë zonë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Sirisë njoftoi të dielën se aktiviteti i forcave izraelite është shtuar ndjeshëm në Kuneitra dhe në provincën fqinje të Daraasë. Sipas burimeve zyrtare, në jug të vendit është rritur edhe prania e helikopterëve, avionëve zbulues dhe mjeteve luftarake ajrore.
Damasku i ka cilësuar operacionet izraelite si “shkelje të hapur” të sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë, duke paralajmëruar se inkursionet e vazhdueshme përbëjnë rrezik për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e vendit.
Ministria vuri në dukje gjithashtu se këto veprime po pengojnë përpjekjet për rindërtimin dhe rimëkëmbjen e Sirisë.
Ajo u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndërmarrin hapa për të ndaluar shkeljet dhe të ushtrojnë presion mbi Izraelin që të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara.
Forcat izraelite kanë ndërmarrë inkursione të përsëritura në jug të Sirisë që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assadit, në dhjetor të vitit 2024.
Pas rënies së Assadit, Izraeli e shpalli të pavlefshme marrëveshjen e vitit 1974 për ndarjen e forcave dhe pushtoi zonën tampon në territorin sirian, duke zgjeruar praninë e tij ushtarake në këtë pjesë të vendit.
Burimi: abcnews.al










